
Alsat 2019-05-29T16:06:05+02:00
Me shtrëngime duarsh dhe fishekzjarrë u përurua hapja e autostradës Prishtinë-Han i Elezit, e pagëzuar me emrin “Arbën Xhaferi”. Drejtuesit e Kosovës e cilësuan si projekt të rëndësishëm dhe urë lidhëse për ndërtimin e miqësisë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se kjo rrugë tani do të shfrytëzohet për të hapëruar drejt BE-së, për dallim nga para 20 vitesh, kur kosovarët këtë rrugë e shfrytëzuan për të lëshuar shtetin e tyre.
Është privilegj i jashtëzakonshëm që të jemi bashkë në hapjen e e kësaj vepre madhore të popullit të Kosovës, e cila na ofron me një tjetrin, por edhe na bashkon me Evropën. Para 20 vitesh kjo rrugë e kishte domethënien e braktisjes e atdheut për të kërkuar shpëtim, ndërsa sot marrim frymë lirshëm dhe me guxim shohim përtej fatkeqësisë në të ardhmen e prosperuar”-tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se ëndrra e çdo qytetari të Kosovës, që shteti i tyre të ketë infrastrukturë të standardeve evropiane, u bë realitet me lëshimin në përdorim të kësaj autostrade.
Një Kosovë e lirë dhe e pavarur edhe duhet të zhvillohet prandaj nëse dje kemi ëndërruar që të kemi një Kosovë të tillë sot e kemi realitet, nëse dje na është dukur e pamundur që të kryhen projekte të tilla, sot i kemi realitete. Nëse dje këto përvoja i kemi kaluar në botën perëndimore, sot i kemi në Kosovën e re, kjo është Kosova e re, e zhvilluar moderne dhe evropiane”-tha Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës.
Kryeministri Zaev, duke folur për rëndësinë e këtij korridori, përmendi edhe rëndësinë e emrit që kjo autostradë mbanë.
Autostrada që sot po lëshohet në përdorim e mban emrin e Arbën Xhaferit. Një nga figurat më të shquara nga pavarësia e shtetit tonë, një nga figurat më të shquara që kanë dhënë kontribut të madh, që rajoni të jetë i lidhur dhe i bashkuar. Autostrada që sot lëshohet në përdorim do të jetë motivim I fortë edhe për ne, që t’i përshpejtojmë përgatitje për fillim të punimeve të ndërtimit të autostradës, Bllacë-Shkup. Këto ditë, edhe tek ne do të shpallet tender i autostradës prej 14 kilometrash me vlerë 120 milion euro”-theksoi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Projekti i ndërtimit autostradës “Arbën Xhaferi” institucioneve kosovare u kushtoi mbi 600 milion euro, ndërsa gjatësia që kap është 65 kilometra.Gjatë rrugëtimit do të hasni edhe dy tunele, njëri prej të cilëve është 2.2 kilometra i gjatë. Autostradën e karakterizon ura më e gjatë në rajon prej mbi 7 kilometrash . Autostrada ka hyrje dhe dalje në Han të Elezit, në Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e kështu me radhë.
Besian Leka
Loading…



