03 Dhjetor
Shënimi i Ditës botërore të personave me aftësi të kufizuara, gjen këtë kategori të popullatës me kërkesa të mëdha ndaj institucioneve të vendit. Ata thonë se përballen me mungesa të shumta në shumë sfera. Ndërsa shtojnë se institucionet e vendit nuk ofrojnë as kushte minimale për ta. Ndër të shumtat probleme ata theksojnë mungesën e kushteve për shkollim, punësim dhe infrastrukturë.
“ Kemi probleme me qendrat për rehabilitim, pajisjet ndihmuese, në sistemin arsimor, qasjen deri te institucionet, personelin ndihmës etj. Kemi vërtetë shumë sfida” , tha Elizabeta Todorovska, Shoqata “Pa bariera”.
“ Kur flasim për të verbëritë, ata përballen me pengesa të ndryshme si qasjen deri te materialet e shkruara, qasje deri tek vendi i punës e të ngjashme, jetë pa barriera arkitektonike që i tanojnë personat e verbër, personat me invaliditet trupor. Çështjet më me rëndësi, si punësimi, arsimimi e të ngjashme mendoj se na mungojnë. Sa ju përket barrierave arkitektonike kemi probleme në atë pjesë se kur ndërtohen rrugët nuk mbahet përgjegjësi për personat e kategorive të tilla “, u shpreh Koce Dimov, Kryetar i Shoqatës së Personave me aftësi të kufizuara.
Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Mila Carovska tha se po punojnë në përmirësimin e kushteve të këtyre personave.
“ Edhe gjatë vitit 2018 do të punojmë për përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara, dhe do të jeni të gjithë të kyçur në këtë proces, sepse të gjithë së bashku i krijojmë politikat dhe planet strategjike që të mundemi së bashku të punojmë në Maqedoni për të mundësuar punësimin e të gjithëve” , tha Mila Carovska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Shoqata të ndryshme joqeveritare që merren me mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara, shpesh herë kanë ngritur zërin që shteti t’iu mundësojë kushte më të mira për jetë, por deri më tani zëri i tyre ka hasur në vesh të shurdhër. Me rastin e Ditës ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara, kryeministri Zoran Zaev, priti në qeveri rreth 30 fëmijë me aftësi të kufizuara, për të dëgjuar nga afër hallet dhe brengat e tyre.
Vjollca Aliti

