Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detajet në lidhje me përleshjen që ndodhi në afërsi të Bit Pazarit, shkruan SHENJA. Në kumtesën e MPB-së thuhet se incidenti ka ndodhur rreth orës 21:00, në bulevardin Kërste Misirkov tek stacioni i autobusëve përballë 26 korrikut në autobusin numër 50.
“Nga disa persona është prishur rendi dhe qetësia publike dhe pastaj janë sulmuar edhe udhëtarët që kanë qenë brenda në autobus. Prishja e rendit ka filluar nga kati i lartë i autobusit ku ka filluar një përleshje fizike, e cila më pas ka vazhduar edhe në katin e poshtëm të autobusit. Njëri nga personat që ka marrë pjesë në përleshjen fizike ka devijuar edhe drejtimin e autobusit duke shkaktuar edhe një aksident komunikacioni, përkatësisht ka bërë ndeshje me autobusin privat me numër 20”, thuhet mes tjerash në kumtesën e MBP-së.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se pasi janë hapur dyert e autobusit, personat kanë vazhduar me përleshjen fizike në mes të rrugës, por pasi kanë arritur ekipet policore, ata kanë ikur në drejtime të panjohura. Policia ka arritur që të kapë vetëm 3 persona të cilët me ndihmën e shpejtë janë transportuar në Qendrën Urgjente. Është ndaluar edhe personi me inicialet R.B. dhe policia po ndërmerr të gjitha masat për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë në përleshjen fizike. /SHENJA/

