Java e ardhshme pritet të rrisë temperaturat mbi mesatare, e kjo për shkak të depërtimit të masave ajrore të thata dhe të nxehta me origjinë nga Anticikloni Afrikan.
Ekstremin e temperaturave të larta e mban dita e premte, e cila do arrijë deri në 43 gradë Celsius, kryesisht në Elbasan, Berat dhe Fier, ndërsa kryeqyteti do të jetë me 41 gradë celsius.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin gjatë gjithë javës por nuk do të mungojnë vranësirat e pakta deri mesatare kalimtare të tipit të lartë transparente të cilat do të jenë më tepër prezente kryesisht përgjatë relieveve malore. Pritet rritje graduale e temperaturave, të cilat do të jenë disa gradë më të larta sesa mesatarja mujore klimatike.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati perëndimit me shpejtësi mesatare 1-7m/s ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore ajo fiton shpejtësi mesatare deri në 10-12m/s.