Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka pezulluar menjëherë nga detyra tre punonjës të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku shfaqet shoqërimi me forcë i një qytetari.
Masa e pezullimit ka prekur inspektorët K. M. dhe D. D., me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme, si dhe inspektorin A. M., ndihmësspecialist (SPZ). Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre për shkeljet grave “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” si dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë”.
Krahas masave disiplinore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet se shoqërimi i shtetasit D. T. po kryhej për shkak të punimeve pa leje.
Sipas sqarimit zyrtar, ndërhyrja ka ardhur pas një kallëzimi të bërë më 20 korrik 2026 nga kunata e tij, shtetasja V. T., e cila e ka denoncuar atë për kanosje. Dy familjarët ndodhen prej kohësh në një konflikt të hapur dhe në proces gjyqësor për pronësinë e një sipërfaqeje toke.
Policia e Shtetit garantoi opinionin publik se do të verifikojë me seriozitet çdo pretendim për shkelje ligjore apo cenim të besimit të qytetarëve, duke vendosur përpara përgjegjësisë çdo punonjës që shkel rregullat e shërbimit.
The post “Udhëzuan përdorim të paarsyeshëm force”, Hita pezullon 3 efektivët e Policisë së Kuçovës pas pamjeve të transmetuara appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


