Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski nuk ka frikë nga hetimi për kredinë hungareze. Gjatë pyetjes në lidhje me hetimin e Hungarisë për dyshimet për abuzim me detyrën dhe keqmenaxhim në “Eximbank”, në pronësi të shtetit, ku përmendet edhe kredia prej një miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut, Mickoski tha se kjo është një çështje e brendshme e Hungarisë dhe shpreson që institucionet atje të dalin me një deklaratë në lidhje me kredinë.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Absolutisht nuk kam frikë sepse e gjithë kjo është pjesë e partneritetit tonë strategjik dhe është konfirmuar nga të dy parlamentet dhe qeveritë. Fondet janë shpenzuar në mënyrë transparente. Mirënjohja ime për Hungarinë si partneri ynë strategjik, sepse në një kohë kur po përpiqeshim ta nxirrnim vendin nga falimentimi për shkak të borxheve të qeverisë bandite të LSDM-së dhe BDI-së, ata ishin të parët që na erdhën në ndihmë”.
Kryetari i LSDM-së opozitare Venko Filipçe, duke shpalosur një dokument tha se Qeveria aktuale po planifikon të marrë një kredi të re prej 1.3 miliard eurosh, duke e çuar borxhin publik në gati 12 miliardë euro. Ndërsa u ndal edhe te kredia hungareze.
Venko Filipçe, lider i LSDM-së
“Kredia që tani është objekt hetimi, kredia për shkak të së cilës e gjithë Evropa dhe e gjithë bota tani e di se qeveria, e kryesuar nga Hristijan Mickoski, është nën hetim dhe dyshohet për procese të paligjshme. Ku janë paratë nga kredia hungareze? Çfarë pamë nga kredia hungareze? Çfarë panë qytetarët? Standardi i tyre i jetesës u përmirësua. A pati rritje të pagave? A pati ndonjë masë që qytetarët të kapërcejnë këto ditë të vështira”.
Autoritetet hungareze kanë hapur hetim penal për abuzime të dyshuara në bankën shtetërore Eximbank, përmes së cilës u sigurua kredia për Maqedoninë e Veriut kur kryeministri hungarez Viktor Orban ishte në pushtet. Bëhet fjalë për një nga rastet që po shqyrtohen nga administrata e re hungareze e udhëhequr nga kryeministri Peter Magjar, e cila ka njoftuar inspektime të punës së institucioneve dhe mekanizmave financiarë shtetërorë nga periudha e kaluar.
Emine Ismaili /SHENJA/
The post (VIDEO) Mickoski: Nuk kam frikë për hetimet që po bëhen në Hungari appeared first on TV-SHENJA.


