Tri apartamentet luksoze në kompleksin “Panorama Residence” në Vodno janë nxjerrë sërish në shitje, këtë herë me çmime fillestare dukshëm më të ulëta.
Pas tri përpjekjeve të pasuksesshme për të gjetur blerës, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar i ka ulur çmimet me rreth 200 mijë euro për secilin apartament.
Kjo pasuri u konfiskua përfundimisht me aktgjykimin e formës së prerë për rastin “Parcelat në Vodno”. Sipas Prokurorisë, apartamentet përbëjnë pasuri të fshehur që lidhet me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
Ulja më e madhe është bërë për apartamentin me sipërfaqe prej 199 metrash katrorë. Në vend të çmimit fillestar prej 847 mijë eurosh, tani ai ofrohet me çmim fillestar prej 635.200 eurosh.
Apartamenti i dytë, me sipërfaqe prej 155 metrash katrorë, më parë ofrohej për 760 mijë euro, ndërsa tani shitet për 569.662 euro. Apartamenti i tretë, me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, nga 850 mijë euro tani ofrohet për 638 mijë euro.
Të tri apartamentet, sipas njoftimit, kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej 750 metrash katrorë, janë të pajisura në mënyrë luksoze dhe kanë tarraca të mëdha prej 48 metrash katrorë. Nga fotografitë e publikuara shihet se njëri prej tyre ka edhe xhakuzi privat në ballkon.
Të interesuarit do të mund t’i vizitojnë apartamentet më 10 shtator, ndërsa ankandi publik elektronik është caktuar për më 21 shtator.
Rasti “Parcelat në Vodno” kishte të bënte me përfitimin e paligjshëm të pasurisë dhe keqpërdorimin e donacioneve partiake gjatë periudhës nga qershori i vitit 2006 deri në tetor të vitit 2012. Sipas aktakuzës, Gruevski kishte përvetësuar rreth 1,3 milion euro nga donacionet partiake dhe më pas i kishte përdorur për blerjen e tokës dhe pronave atraktive në Vodno.
Për këtë vepër, ai fillimisht u dënua me shtatë vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit më vonë ia ndryshoi dhe ia rriti dënimin në nëntë vjet.



