Për shkak të mungesës së gjykatësit të lëndës, u anulua edhe një seancë tjetër për rastin “Sopoti”. Pas disa herësh anulim, sot duhej që të mbahej seanca e parë, ku risi ishte pjesëmarrja e prokurores së Speciales, Fatime Fetai, pasi që PSP tani ka marrë nën kompetencë këtë lëndë. Seanca e sotme është anuluar për 9 tetor, për arsye se gjykatësja, apo kryetarja e këshillit ishte zyrtarisht në udhëtim jashtë shtetit
FATIME FETAI, PROKURORE SPECIALE
“Është ende herët të flitet për çfarëdo lloj vendimi të mëtutjeshëm. Për më 9 tetor është shtyrë seanca, do të jeni të pranishëm dhe do të ndiqni se çfarë do të ndodhë”.
Ndërsa, avokati mbrojtës Vullnet Paçuku, tha se shpresën e tyre e kanë përqëndruar tek Prokuroria Speciale. Ata shpresojnë se Specialja do të bëjë analizën e të gjitha dëshmive dhe kështu do të mund ta dëshmoj pafajësinë e të akuzuarëve.
VULLNET PAÇUKU, AVOKAT
“Përfundimisht presim një gjykim të drejtë të kësaj lënde, që e kërkojmë që prej kohësh dhe që fatkeqësisht ju e dini se si gjatë gjithë kohës kjo refuzohej. Gjithë atyre viteve burg ndaj njerëzve të pafajshën. Kështu që tani presim që PSP, pas analizës së të gjitha dëshmive, do të dëshmoj se këtu nuk bëhet fjalë për asnjë vepër penale nga ana e këtyre të akuzuarëve”.
Për rastin e Sopotit, 10 shqiptarë të këtij fshati u dënuan për veprën terrorizëm vetëm në bazë të dëshmisë së Ramadan Bajramit, i cili më vonë e tërhoqi dëshminë. Ata akuzohen për vendosjen e një minë në fshat në vitin 2003 ku u vranë dy ushtarë polak dhe një person civil. Ekspertiza e Prokurorisë speciale ka treguar se te dëshmitari janë konfirmuar pasoja në gjendjen psikike, por veprimet e tilla janë të vjetërsuara për t’u ndjekur penalisht. Megjithatë, edhe përkundër vjetërsisë së ndjekjeve të dëshmive dhe fakteve ka implikacione të drejtpërdrejta ndaj procedurës e cila zhvillohet para Gjykatës Penale.
Ndërkaq, nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thanë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur. Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Emine Ismaili

