Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 30-vjeçar të akuzuar për përdhunimin e një të miture. Sipas informacioneve zyrtare, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit T. D., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur.
Ndërkohë gazetarja Dorjana Bezat bëri të ditura detaje nga ngjarja e rëndë. Mësohet se minorenia 15 vjeçe ishte larguar nga banesa pas një debati në familje.
Gjatë këtyre orëve kishte njohur 30-vjeçarin i cili ishte ofruar për ta ndihmuar dhe më pas kreu marrëdhënie me të miturën me dhunë pa dëshirën e saj. Pas ngjarjes vajza është kthyer në shtëpi ka treguar ngjarjen. Menjëherë është bërë kallëzimi në polici dhe është kryer arrestimi i 30-vjeçarit.



