Një tragjedi e rëndë ka tronditur një familje shqiptare që jetonte në zonën e Paleokomisë, në Serres të Greqisë. Një 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar humbën jetën në një aksident automobilistik të ndodhur mëngjesin e së premtes në rrugën provinciale Amfipoli-Drama.
“Kam humbur gruan dhe fëmijën tim. Po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi… i humba të gjitha”. Me këto fjalë, bashkëshorti i 43-vjeçares dhe babai i 21-vjeçarit përshkroi dhimbjen e madhe pas humbjes së dy familjarëve të tij.
Sipas informacioneve paraprake, nëna dhe djali kishin dalë herët nga shtëpia për të shkuar në punën e tyre. Ata udhëtonin me të njëjtin automjet, ku 21-vjeçari ishte në timon, ndërsa nëna e tij ishte në sediljen e pasagjerit.
Rreth orës 07:30, makina e tyre u përplas ballë për ballë me një kamion në afërsi të Paleokomisë. Përplasja ishte fatale dhe të dy humbën jetën në vendngjarje.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.
Dëshmia e drejtuesit të kamionit
Shoferi 56-vjeçar i kamionit ka dhënë versionin e tij për momentet para përplasjes. Ai ka deklaruar se po lëvizte normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75–80 km/h, kur papritur pa automjetin që po vinte nga ana e kundërt.
Sipas tij, makina kishte humbur kontrollin dhe kishte kaluar në korsinë ku po lëvizte kamioni. Ai pretendon se tentoi të shmangte përplasjen duke manovruar majtas, por nuk arriti ta evitonte aksidentin.
“Makina kishte humbur kontrollin dhe kishte kaluar në korsinë time. Unë u përpoqa të largohem majtas për të shpëtuar, por nuk arrita ta shmang”, ka deklaruar drejtuesi i kamionit.
Ai ka pësuar lëndime të lehta dhe është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës.
Familja shqiptare jetonte prej vitesh në Greqi
Familja, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej kohësh në Paleokomi të Serres. 43-vjeçarja dhe djali i saj punonin në të njëjtën kompani pranë plazhit Ofrynio dhe ishin nisur drejt vendit të punës kur ndodhi aksidenti.
Pas kësaj humbjeje të rëndë, bashkëshorti dhe babai i viktimave, së bashku me vajzën tjetër të familjes, përballen me dhimbjen e humbjes së dy njerëzve të dashur në një moment të vetëm.
Në vendngjarje mbërritën forca të policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës. Hetimet për përcaktimin e përgjegjësive dhe rrethanave të aksidentit vijojnë.



