Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me shpalljen “non grata” nga Shqipëria të dy qytetarëve nga Çairi, duke e cilësuar këtë si një çështje të ndjeshme që kërkon mirëkuptim nga të dyja palët.
Osmani thekson se Shqipëria është një shtet sovran dhe se qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet ta respektojnë sovranitetin e saj, duke shmangur përfshirjen në përplasjet e brendshme politike të vendit.
Ja postimi i plotë:
Nuk kam pasur ndërmend të komentoj për shpalljen “non grata” nga Shqipëria të dy qytetarëve nga Çairi. Është çështje e ndjeshme dhe çfarëdo që të thuash mund të interpretohet gabimisht. Por nuk dua të dukem si Vlen-i, që për të ruajtur pushtetin nuk ka qëndrim pothuajse për asgjë. Ka momente kur duhet të thuash atë që mendon, edhe kur tema nuk është e lehtë.
Unë dua ta shoh këtë si një keqkuptim mes dy ndjeshmërive që duhen respektuar.
Shqipëria është shtet sovran. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se janë shqiptarë, juridikisht janë shtetas të një shteti tjetër. Nuk votojnë në Shqipëri, nuk paguajnë taksa atje dhe duhet ta respektojnë sovranitetin e saj dhe të kenë kujdes kur përfshihen në përplasjet e brendshme politike të Shqipërisë.
Por edhe Shqipëria duhet ta kuptojë një realitet tonin.
Për shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria nuk përjetohet si një shtet i huaj. E shohin si shtetin e kombit të tyre. Interesohen për të, reagojnë për atë që ndodh atje dhe shpesh debatin politik në Shqipëri e përjetojnë si debat brenda hapësirës së tyre kombëtare.
Juridikisht kjo nuk ndryshon as kufijtë dhe as shtetësinë. Por është një ndjenjë reale që Shqipëria duhet ta kuptojë dhe ta trajtojë me më shumë ndjeshmëri.
Prandaj mendoj se duhet mirëkuptim nga të dyja anët.
Ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duhet ta kuptojmë se vendimmarrja politike në Shqipëri u takon qytetarëve të Shqipërisë dhe të mos përfshihemi në përplasjet e saj të brendshme politike.
Shqipëria, nga ana tjetër, duhet të ketë një ndjeshmëri të veçantë ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të saj dhe lidhjes që ata kanë me të.
Nëse ky rast ka ardhur pikërisht nga moskuptimi i këtyre dy realiteteve, besoj se ka hapësirë që çështja të sqarohet dhe vendimi të rishikohet.
Shqipëria duhet të mbetet një derë e hapur për shqiptarët kudo që jetojnë. Dhe shqiptarët kudo që jetojnë duhet ta respektojnë Shqipërinë si shtet.



