Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas, siç thotë, largimit të gjuhës shqipe nga tabelat shtetërore në pikën kufitare Tabanoc, në territorin e Komunës së Kumanovës informon Tetovasot.
Sipas BDI-së, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe të detyrimeve kushtetuese për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
“Ky është një provokim i rëndë dhe dëshmi e qartë e paaftësisë së skajshme të VLEN-it për të mbrojtur edhe të drejtat më elementare të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI kërkon që gjuha shqipe të rikthehet menjëherë në tabelat shtetërore në pikën kufitare Tabanoc, ndërsa institucionet përgjegjëse të kërkojnë falje publike për, siç e cilëson, këtë shkelje.
Në reagim, partia akuzon drejtpërdrejt VLEN-in për përgjegjësi politike, duke theksuar se, në vend që të pengojë degradimin e gjuhës shqipe, “shpik arsyetime boshe dhe përpiqet t’i mashtrojë qytetarët me video manipuluese”.
“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe përdorimi i saj është obligim ligjor. Turp për këtë nënshtrim”, përfundon reagimi i BDI-së.



