Presidenti i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski në një intervistë ekskluzive për portalin Almakos ka folur edhe rreth emërimit të disa shqiptarëve në pozitat kyçe në aspektin e sigurisë në Maqedoni.
Për Erolld Musliun, Pendarovski vlerëson se ai është zgjedhur si drejtor për shkak të profesionalizmit të tij.
“Erolld Musliu është profesionist nga sektori i sigurisë me përvojë afatgjate. Këto ishin kriteret e emërimit të tij: arsimimi, përvoja dhe aftësia për të udhëhequr një sektor kaq senzitiv siç është ai i sigurisë, si dhe bashkëpunimi me institucionet në vend dhe jashtë shtetit.”, deklaroi për Almakos, Pendarovski.
Ndërsa, në lidhje me mosmarrëveshjet me BDI-në për emërimin e Erolld Musliut, presidenti Pendarovski tha se ka pasur keqkuptime të cilat janë sqaruar.
“Nuk do të thosha se kishte mosmarrëveshje dhe nëse ka pasur disa paqartësi u shpjeguam. Kishim takime me udhëheqësin e BDI-së dhe iu shpalosa shkaqet dhe kriteret e emërimit të Musliut dhe konsideroj se në të ardhmen më shpesh do të jemi në komunikim.”, deklaroi Pendarovski.
Presidenti Pendarovski vlerësoi lart edhe Blerim Kolallin si profesionist duke theksuar se arsyeja pse ai është në kabinetin e tij është për shkak të profesionalizmit të tij.
“Kriteret për emërimin e Kolallit për Këshilltar të sigurisë kombëtare sikurse edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë – arsimimi, përvoja dhe qasja profesionale ndaj punës. Konsideroj se ai ka përvojën e duhur dhe mundin e dhënë dhe mund të kontribuojë si këshilltari im për sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh edhe përvojën shumëvjeçare duke punuar për NATO-n, organizatën më të suksesshme politiko- ushtarake drejt së cilës bashkangjitemi dhe standardet e së cilës i miratojmë.”, deklaroi Pendarovski.
Pendarovski vazhdoi me arsyetimin duke thënë se kabineti i tij duhet që të jetë reflektim i shoqërisë ku jetojmë.
“Kabineti presidencial duhet të jetë reflektim i shoqërisë në të cilën jetojmë. Në kabinetin tim ka persona që erdhën nga sektorë të ndryshëm – privat, komuniteti akademik, institucione të vendit dhe të huaja. Laramania e përvojave është pasuri. Tashmë dihet fakti edhe në biznes se ekipet më të suksesshme janë ata që kanë përvoja të ndryshme, kur ka qëndrime dhe mendime të ndryshme, kjo është pasuri e një game të gjerë idesh, në të cilat mund të kristalizohen propozimet më të mira.”, deklaroi Pendarovski.
Përndryshe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Stevo Pendarovski ka pararë edhe profesorin universitar Veton Latifi.
“Procesi i konsultimeve përfundoi dhe kohë më pare publikisht i bëra të ditur emrat, e ata do jenë Veton Latifi, Trajan Gocevski dhe Nenad Markoviq.”, deklaroi Pendarovski./Almakos/