Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar se qeverisja e deritanishme e ka zhgënjyer elektoratin dhe se pjesëmarrja më e ulët në votime përbën mesazh politik për pushtetin.
Në konferencën për media të mbajtur pas publikimit të rezultateve preliminare, sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se qeverisja e kryeministrit Albin Kurti ka prodhuar zhgënjim të madh te qytetarët dhe ka shkaktuar kriza të vazhdueshme.
“Qeveria e Albin Kurtit prodhoi zhgënjim të madh te qytetarët dhe kriza të vazhdueshme. Kjo keqqeverisje rezultoi me një protestë zgjedhore, sepse mosdalja në zgjedhje e mbi 200 mijë votuesve tregon zhgënjim të jashtëzakonshëm të qytetarëve. Gara ishte e pabarabartë dhe sikur të mos bënte blerje masive të votës me qindra mijëra premtime ndaj punonjësve shtetërorë, me miliona euro për biletat e diasporës dhe me keqpërdorim të resurseve shtetërore, ky njeri do të pësonte një humbje edhe më të thellë politike”, tha Çitaku.
Ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për zhvillimin e një gare të pabarabartë zgjedhore, duke pretenduar se janë keqpërdorur resurset shtetërore dhe janë bërë premtime të shumta për punonjësit publikë dhe diasporën.
“Përkundër kësaj gare të pabarabartë, me blerje masive të votave përmes ndihmave dhe keqpërdorimit të resurseve shtetërore, PDK e rikonfirmoi pozicionin e saj përfaqësues me përqindje dhe me numër deputetësh. Është e lehtë të kuptohet se, mes këtyre krizave, ky pushtet i ka lodhur qytetarët dhe kjo mospjesëmarrje është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, e posaçërisht nga ky pushtet abuziv.Ne do të presim rezultatet përfundimtare, do të presim numërimin e plotë të votave dhe më pas do t’i bëjmë publike qëndrimet tona.”, tha ajo.
Çitaku theksoi se partia do të presë përfundimin e numërimit të të gjitha votave para se të dalë me qëndrime përfundimtare politike.


