Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ka thirrur sot në takim një përfaqësues të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, i cili ushtron funksionin e të ngarkuarit me punë në mungesë të ambasadorit Zheljazko Radukov, për shkak të deklaratave të fundit të zyrtarëve bullgarë lidhur me rastin e Iva Mihailovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë, gjatë takimit është shprehur pakënaqësi me deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, e cila është vlerësuar si ofenduese dhe provokuese.
Pakënaqësi është shprehur edhe për deklaratën e ambasadorit bullgar, Zheljazko Radukov, në televizionin bullgar “BTV”, të cilën pala maqedonase e konsideron ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të vendit, për shkak të vlerësimeve të bëra ndaj punës së institucioneve kompetente.
“Ne theksuam posaçërisht se provokime të tilla e distancojnë dialogun dypalësh nga korniza në të cilën duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të bazuara në respekt të ndërsjellë, përmbajtje dhe komunikim konstruktiv”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Nga Ministria është paralajmëruar gjithashtu se një sjellje e tillë mund të bëjë të nevojshme një përgjigje të përshtatshme institucionale, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e cila përcakton kornizën e veprimtarisë diplomatike dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit pritës.
Në fund të takimit, Ministria ka riafirmuar angazhimin për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, të bazuara në respekt të ndërsjellë, besim dhe parime evropiane, duke theksuar se pret të njëjtin angazhim dhe përgjegjësi edhe nga pala bullgare.
Ndërkohë, në një intervistë, Ivan Demerxhiev i është referuar autoriteteve maqedonase si “serbe”, duke deklaruar: “Ne as nuk kërkojmë dhe as nuk do t’ua dorëzojmë autoriteteve serbe”. Kjo deklaratë lidhet me rastin e Iva Mihailovës dhe ka nxitur reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.



