Ka dështuar sot dëshmia e ish ministrit Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi. Seanca e sotme u mbyll me propozim të nënkryetarit të Komisionit, Plarent Ndreca, i cili tha se “sot nuk po i japim dot drejtim”.
Seanca e pyetjeve me ish ministrin Ilir Beqaj do të rinisë nesër në rreth orës 10:30.
“Këtu e mbyllim, me propozim të nënkryetarit e mbyllim sot për të vijuar nesër në 10:30 me të njëjtin rend dite”, tha Albana Vokshi.
Kujtojmë që për disa orë me radhë, dëshmia e Ilir Beqajt për sterilizimin u mbajt peng pasi demokratët dhe socialistët nuk ranë dakord për procedurën si do të bëhej deklarata e Ilir Beqajt.
Ilir Beqaj mbërriti në Kuvend me pranga në duar, i shoqëruar nga policia dhe sapo u ul në vendin e dëshmitarit futi në ngërç komisionin me kërkesën për të shoqëruar deklaratën e tij me pamje vizuale, foto dhe video, me anë të cilave kërkonte të mbronte vendimin për të dhënë me koncesion procesin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në spitalet publike.
“Po pres që ju të merrni një vendim mbi kërkesën time. Ligji thotë se vendimet merren me votim, por nuk thotë se kryetarja ka kompetencë të rrëzojë kërkesat me vendimin e saj personal”, tha Beqaj.