BDI – Dega në Dibër ka reaguar lidhur me organizimin e mësimit në gjuhën shqipe në Gjimnazin “28 Nëntori”, duke ngritur shqetësimin se, pavarësisht rritjes së numrit të nxënësve, këtë vit është formuar një paralele më pak.
Sipas të dhënave të publikuara nga BDI Dibër, në vitin shkollor 2025/2026 kanë qenë 102 nxënës shqiptarë në 5 paralele, ndërsa për vitin 2026/2027 janë regjistruar 106 nxënës shqiptarë në vetëm 4 paralele.
“Pra, këtë vit kemi 4 nxënës më shumë, por një paralele më pak në gjuhën shqipe”, theksojnë nga BDI Dibër.
Sipas tyre, një vendim i tillë mund të çojë në mbingarkimin e klasave, ndërsa profesorët rrezikojnë të humbin normat mësimore dhe, rrjedhimisht, edhe vendet e tyre të punës.
BDI Dibër i ka bërë thirrje udhëheqësisë së Gjimnazit “28 Nëntori” dhe kryetarit të Komunës së Dibrës që të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë për zgjidhjen e situatës, duke iu referuar Nenit 28, alineat 2 dhe 3 të Ligjit për arsimin e mesëm.
Sipas BDI-së, ligji mundëson formimin e paraleleve edhe me më pak se 25 nxënës, me pëlqimin paraprak të Këshillit Komunal dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Arsimi i fëmijëve tanë dhe vendet e punës së profesorëve dibranë nuk duhet të rrezikohen kur ligji ofron mekanizma për zgjidhje”, thuhet në reagimin e BDI – Dega Dibër.
Nga kjo degë presin veprim konkret dhe përgjegjësi institucionale për ruajtjen e paraleleve në gjuhën shqipe.




