Pas konfliktit të Kumanovës, udhëtimet e Ali Ahmetit në Kosovë më tepër i ngjajnë udhëtimeve të emigrantëve ilegalë, se sa udhëtimeve të një “komandanti të UÇK-së”, komentojnë bashkëpartiakë të tij. Për dallim prej më herët, kur çdo udhëtim i Ahmetit në Kosovë përcillej me pompozitet të madh, tani për qëndrimet e atjeshme informohet vetëm pasi Ahmeti të kthehet në Maqedoni.
Kjo si duket është për të shmangur ndonjë reagim të padëshirueshëm të familjarëve të 10 të vrarëve dhe të arrestuarve në Kumanovë, të cilët në shumë raste publikisht e kanë akuzuar Ahmetin se ka tradhtuar familjarët e tyre.
Kështu ndodhi edhe të enjten kur Ahmeti ka qëndruar në Kosovë për të nderuar data nga e kaluara kombëtare. Në shtëpinë e Nazmi Llapashticës, në fshatin Dyz të Llapit, është shpalosur Pllaka Përkujtimore, në shenjë mirënjohje e nderimi për këtë familje që nga fillimi i viteve tetëdhjeta e deri ne çlirimin e Kosovës strehoi udhëheqës të LPK-së dhe veprimtarë të tjerë të kauzës kombëtare: Ahmet Haxhiu, Ali Ahmeti, Azem Syla, Xhavit Haliti e të tjerë.
Me këtë rast merrnin pjese Adem Demaci, Ali Ahmeti, Fazli Veliu- Daja dhe veprimtarë të tjerë të lëvizjes kombëtare. Po sot në varrezat e fshatit Lupc, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, Adem Demaci e Fazli Veliu- Daja, kanë vendosur kurora lulesh mbi varrin e heroit të popullit Ahmet Haxhiu, në 23 vjetorin e shuarjes se këtij veprimtari të devotshëm të kauzës kombëtare.
Para konfliktit të Kumanovës ishte ndryshe. Një javë përpara mediumet e afërta me BDI-në fillonin të paralajmërojnë se Ahmeti do të shkojë në Kosovë për të marrë pjesë në homazhe. Tërë ditën e qëndrimit raportohej se u “takua me këtë e u takua me atë”, kurse informacionet nuk ndaleshin edhe një javë mbrapa.
Ndryshe përveç se në Kosovë, Ahmeti është i padëshiruar edhe në Kumanovë, sepse shqiptarët e këtij qyteti e gjuajtën atë me gurë.

