29 November
Gjykata nuk mund të shqiptojë masë paraburgimi për ndonjë deputet pa ia hequr Parlamenti imunitetitin, por se mund të shqiptojë masa tjera për sigurim të prezencës. Ky është qëndrimi i ekspertëve, pasi gjashtë deputetët për të cilët kërkohej paraburgimi për ngjarjet e 27 prillit, mbrëmë u larguan për në shtëpitë e tyre derisa kolegët e tyre të vendosin nëse do t’u merret imuniteti.
Mbrëmë në emisionin 200 të Alsat M, profesoresha universitare Besa Arifi tha se ka disa opsione si marrja e pasaportës, paraqitja e obligueshme në gjykatë dhe masa tjera më të lehta.
Thuajse qëndrim identik ka edhe ish gjykatësi Rade Jovevski. Por, çfarë do të ndodhë nëse shumica e deputetëve në fund merr vendim që mos t’u hiqet mandati kolegëve të tyre.
Nuk i hiqet imuniteti atëherë prokuroria do të duhet të paraqes kërkesë të re pasi imuniteti do ti mbrojë deputetet nga ndjekja përveç në rastet nëse autori nuk është kapur në vendin e ngjarjes – deklaroi Rade Jovçevski, avokat.
Pikërisht përkufizimi i termit “i kapur” gjatë kryerjes së veprës penale tashmë është lëndë debati në radhët e profesionistëve të kësaj lëmie, pasi vetëm në këtë rast imuniteti i deputetit nuk është i rëndësishëm për paraburgim eventual. Një pjesë e interpretimeve thonë se “i kapur” nuk duhet të interpretohet në mënyrë tekstuale – i kapur në vendngjarje, por se edhe në rast kur më vonë do të bëhet më se e qartë se deputeti ka kryer vepër, siç treguan filmimet nga kamerat e Parlamentit. Me vendimet e djeshme, Gjykata megjithatë tregoi se më afër është interpretimi tekstual i dispozitës, për çka edhe kërkoi heqjen e imunitetit.
Alsat-M

