Pacientët të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare kanë pasur mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në pamundësi që t’i drejtohen kutive të votimit, të shtrirë në klinikat e QKUK-së, ata kanë votuar me shpresën se nga këto zgjedhje do të ketë ndryshime në shëndetësi, ekonomi e arsim.
Ky akt simbolik i votimit në spital ka sjellë një ngjyrim tjetër të procesit zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare edhe në momente sfiduese. Votimi i pacientëve, si Sani Gjini, 81-vjeçar që po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, e ka theksuar se vota përbën një mundësi për ndryshim. Ai shprehet se shpreson për një jetë më të mirë dhe përmirësime në shëndetësi.
“Shpresoj që të ketë ndryshime, se deri këtu jo fort, në përgjithësi. InshAllah përmirësohet hala më mirë. Ka shku mirë, por hala më mirë mundet. Ndryshime në shëndetësi, arsim e ekonomi, se ato e mbajnë shtetin, në ushtri e krejt,” tha Gjini, duke e vlerësuar votimin si një mundësi për të shprehur shqetësimet e tij dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Edhe Petrit Haliti, një tjetër pacient në të njëjtën klinikë, thekson rëndësinë e votës. “Do të doja që prej këtyre zgjedhjeve, me dashtë Zoti, të fitu dhe të kemi kushte më të mira për ne që jemi si pacientë. Me ndryshu për ma mirë, mirë është por mundet ma mirë,” shprehet ai, duke reflektuar mbi nevojat e pacientëve në sistemin shëndetësor.
Në këtë atmosferë, Luan Buqezi nga Prishtina, thekson se para disa ditëve ka bërë kërkesën për të mundësuar votën e tij. “Për mua është shumë e rëndësishme që ëndrra e shqiptarëve të realizohet. Prej këtyre zgjedhjeve pres vetëm të mira për popullin dhe sa më shumë kundër armikut me lobu dhe me luftu,” tha Buqezi, duke shpresuar për një të ardhme më të ndritur.
Këta pacientë, pavarësisht sfidave që përballen, vazhdojnë të kenë shpresë për një të ardhme më të mirë. Rëndësia e votës për ta është një sintezë e të gjitha aspiratave që ata kanë për një sistem shëndetësor më të fortë dhe për kushte më të mira jetese. Votimi i tyre është një thirrje që shkon përtej klisheve, një dëshmi se cila është vlerë e angazhimit qytetar.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues. Ky numër tregon se si në çdo segment të shoqërisë, edhe ata që ndodhen në spital kanë dëshirën për të kontribuar në formimin e politikave që i prekin ata dhe shoqërinë në tërësi.
Votimi në spital është një ilustrim i qartë se si çdo individ, pavarësisht situatës së tij shëndetësore, ka një zë dhe duhet të ketë mundësinë ta shprehë atë. Elementi emocional që lidhet me këto vota i jep procesit zgjedhor një domethënie më të thellë, duke bërë thirrje për ndryshim në çdo aspekt të jetës sociale, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin dhe ekonominë.
E ardhmja e vendit varet nga veprimet e qytetarëve sot. Prandaj, për pacientët e QKUK-së, votimi nuk është vetëm një detyrë, por një mundësi për të shprehur shpresat e tyre, për të ndikuar në të ardhmen e gjithë shoqërisë dhe për të promovuar vlerat që e mbajnë në këmbë një shoqëri demokratike.