Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë është më flagrantja.
Ajo theksoi se Serbia po përpiqet të blejë vota duke shkelur parimin e fqinjësisë së mirë.
“Është një prej ndërhyrjeve më flagrante që ka ndodhur në proceset zgjedhore në Kosovë edhe pse ato kanë qenë të vazhdueshme dhe ky nuk është vetëm konstatim i yni, por ka qenë konstatim i vazhdueshëm edhe i institucioneve evropiane dhe atyre amerikane. Serbia vazhdimisht nëpërmjet njerëzve që i kontrollon në Kosovë ka ndërhyrë madje edhe kanë përdorur edhe metoda të dhunshme dhe kërcënime dhe shantazhe ndaj qytetarëve serbë në mënyrë që të marrin vota dhe t’i drejtojnë ata ku ata dëshirojnë”.
“Tash po e shohim që po tentojnë edhe të bëjnë edhe blerje të votave duke premtuar gjëra të cilat nuk i takojnë Serbisë sepse është shtet tjetër dhe kjo sipas çdo perimetri të drejtës ndërkombëtare është në kundërshtim të plotë me parimin e fqinjësisë së mirë sepse siç e dini e drejta ndërkombëtare parandalon apo ndalon ndërhyrjen në zgjedhjet e një shteti tjetër”, tha ajo në një intervistë për A2 CNN.
Sipas Osmanit, Serbia po trimërohet nga fakti që nuk po ndëshkohet sa herë që dëmton Kosovën.
“Kjo është një shkelje e vazhdueshme që Serbia po e bën, një shkelje e cila është konstatuar disa herë në raportet ndërkombëtare, por fatkeqësisht nuk është që është ndërmarrë ndonjë masë ndaj Serbisë dhe pastaj ata po i vazhdojnë këto punë të paligjshme të cilat janë ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Republikës së Kosovës dhe në sistemin tonë demokratik”, tha Osmani.
Osmani theksoi se institucionet kosovare të sigurisë janë duke u përpjekur maksimalisht që të mbrojnë qytetarët serbë nga manipulmet e Beogradit zyrtar. Megjithatë, ajo shtoi se duhet edhe presion ndërkombëtar mbi Serbinë në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje të tilla.
Ndërkohë dy ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.
Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.
Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian duke theksuar se presin që zgjedhjet lokale në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë.
Një zëdhënës i BE-së ka rikujtuar se misioni vëzhgues evropian kishte konstatuar raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në muajin shkurt.
“Presim nga të gjitha palët që të përmbahen nga veprime të tilla.Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm, pa ndërhyrje dhe manipulime nga jashtë”, thuhet në reagimin e zedhenesit te Bashkimit Evropian.