Maqedonia tanimë ka hyrë në gjashtëmujorin vendimtar për procesin reformues që do t’i hapë rrugën integrimit në strukturat euroatlantike. Zëvendës-kryeministri për Euro-integrime, Bujar Osmani, gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit civil, tha se brenda këtij viti duhet që të miratohen ligjet që janë në procedurë parlamentare dhe që kanë të bëjnë me reformat në drejtësi. Mosmiratimi i tyre, sipas tij, do të ndikonte edhe për përpilimin e raportit të parakohshëm për Maqedoninë, ku vendi shpreson të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Javët në vijim janë shumë të rëndësishme por, veçanërisht, gjashtë muajt e ardhshëm janë ato kyç që do t’i mundësojnë vendit një progres të rëndësishëm drejt strukturave euro-atlantike. Diku mbi 90% të masave të planit 3 janë realizuar. Ka pasur masa që kanë qenë obligim i institucioneve të cilat nuk janë drejtpërdrejt të subordinuara ndaj Qeverisë, por tek të cilët vetëm kemi mund të bëjmë thirrje për realizim”.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev dhe amendamentet e dorëzuara nga LSDM, Osmani tha se janë të rrezikshme dhe se ndryshimi eventual i propozim-ligjit të dorëzuar në Kuvend për avancimin e gjuhës shqipe do të ishte një hap i rrezikshëm.
BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Besoj se deputetët do e kuptojnë se ligji është i dakorduar deri në detajet më të vogla, deri në presjen më të vogël ndërmjet partnerëve të koalicionit dhe çdo ndryshim do të hapte Kutinë e Pandorës për ndryshime tjera. Mendoj se në Kuvend ligji do të shkoj pa asnjë amandament”.
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me vendkalimin kufitar Bellanoc – Stançiç, Osmani tha se tani procedurën e ka marrë delegacioni i BE-së në Shkup dhe në Prishtinë dhe po punohet në realizimin e këtij projekti. Teuta Buçi /SHENJA/

