Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dekoruar shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare me urdhërinë Hasan Prishtina.
Osmani ka thënë se krijimtaria letrare e shkrimtarit ka dëshmuar se liria e krijimit dhe mendimit nuk mund të kontrollohen nga pushtetet, shkruan Arbresh.info.
“Prania juaj në hapjen e panairit të librit në Prishtinë është edhe një mesazh i fuqishëm për letërsinë shqipe. Ju keni qenë vazhdimisht një pikë e rëndësishme e referimit për shqiptarët kudo në botë. Krijimtaria juaj letrare e zhvilluar kryesisht brenda rrethit të hekurt ideologjik ka dëshmuar se liria e krijimit dhe mendimit nuk mund të kontrollohen nga pushtetet. Edhe se liria pavarësisht që mund të shtypet në publik jeton e pa prekur në gjakimin e njerëzve për ta parë vendin dhe popullin e tonë të lirë”, tha Osmani.
Po ashtu presidentja Osmani ka thënë se falë shpirtit liridashës së Kadares është promovuar kultura, tradita dhe gjuha shqipe tek popujt e tjera.
“Duke e trajtuar artistikisht jetën e shqiptarit, ju e kini nxitur shpirtin liridashës ndër ne dhe keni artikular atë gjithë andej ku ju ka dhënë rasti dhe për këtë jemi mirënjohës. Gjenerata ime dhe para dhe pas nesh jemi rritur me kryeveprat e letërsisë tuaj. Ju e keni mbrojtur dhe promovuar kulturën tonë të lashtë, vjetërsinë e kulturës sonë të lashtë. Keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i mos varur”, tha ajo.
Fjalën mori dhe shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare, i cili u shpreh shumë mirënjohës shteti shqiptar për këtë nderim.
Ai ka thënë se nuk ka nderim më të madh se kjo që mori nga presidentja, po ashtu ai ka thënë se këtë gjë do ta ëndërronte çdo shqiptar.
“Të dashur njerëz të Kosovës, të letrave, të artit, kulturës. Jam shumë i prekur që të jem midis jush për këtë nderim kaq të madh. Çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë. Është një fat i rrallë që populli të nderoj me një gjë të tillë”, tha Kadare.
“Për fat të keq Shqipëri ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmba nga forcat e huaja por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengoj një popull që të jetoj i lirë. Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptarë. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual se sa kjo që po e përjetoj sot këtu”, tha ai./Arbresh.info/