Ora policore a po na fut në zonën e rehatisë?

Ora policore a po na fut në zonën e rehatisë?

Hamdi Nuhiju

Po bëhen gati dy vite prej kur trupi, shpirti dhe mendja jonë si njerëz është mësuar me regjimin e orës policore. T`i vendosësh në një periudhë kaq të gjatë kohore një shoqërie orë policore është një normë autoritatiste e cila ia heq qenien e guximit dhe gjallërisë njeriut, ndërsa e lejon Tjetrin të përdor dhe keqpërdorë parimet e demokracisë edhe mbi privatësinë.

Në të kaluarën, por edhe në të ardhmen do të vleje e njëjta,  ka qenë dhe është e qartë se dyzet ditë ose net janë të mjaftueshme për një shoqëri që të fitoje disiplinën e nevojshme, po aq kohë është e mjaftueshme për t`i thënë një sëmundje lamtumirë. Është e çuditshme se si arsyetohej ora policore në fillet e saj të paraqitjes së pandemisë Kovid 19, dhe se si sot vazhdohet me të njëjtat arsyetime, sikur të mos ekzistonin vaksinat dhe sikur i tërë faji të ishte te ky armik i padukshëm që po merr jetën e miliona njerëzve.

Është e habitshme të ekzistoj dhe të zgjat ora policore në kohën kur ekzistojnë lloje të ndryshme të vaksinave. Sikur autoritetet e shteteve duan t`i përdorin këto norma autoritatiste për të krijuar një sistem ose rend të ri. Ora policore u shndërrua në mjet lufte, jo ndaj të tjerëve, por ndaj shoqërive tona me qëllim realizimin e agjendave dhe qëllimeve të caktuara.

Njeriu duhet ta pyes veten se sa është e rrezikshme jeta në kushte të një ore policore? Përveç bezdisë dhe mungesës së lëvizjes që mund të krijonte ç’rregullime psikologjike, tendenca ose rreziku për t`u futur në zonën e rehatisë është tejet i lartë. Kur je i mbyllur dhe të tjerët janë të mbyllur, gjithçka varet nga pres konferenca e bezdisshme e ministrave të shëndetësisë, ti harron sensin e garës dhe vlerave që duhet t`i krijosh si individ po edhe si shoqëri.

Zona e rehatisë ose zona e vdekjes, është zona ku njeriu kënaqet me statusin aktual, duke mos bërë as tentimin minimal për të ecur një hap para. Kjo zonë është logjikë e të varfrit që është mësuar të pres ndihma nga të tjerët, ndërsa akuzon të gjithë të tjerët për statusin e tij dhe nuk bën asnjë hap për t`u pavarësuar.

Zona e rehatisë ushqehet nga ora policore njëjtë siç ushqehen të gjitha sferat e obezitetit duke e shndërruar njeriun më aktiv në pasiv.

Pejgamberi Muhamed alejhi selam na ka urdhëruar duke thënë: “ Muslimani nuk guxon që t`i ketë dy ditë të njëjta”. Ndërsa shoqërisë tonë i ka ngelur ora në vitin 2019. Ne kemi dy vite të njëjta, pa ndryshuar asgjë nga jeta jonë. Ne kemi dy vite që jemi futur në zonën e vdekjes me fajin e autoriteteve që duan të na fusin në zonën e vdekjes.

Pse autoritetet shtetërore duan një shoqëri të vënë në gjumin e zonës së rehatisë? Sepse më lehtë mund që të kontrollohen, të përçahen dhe të sundohen.

Zona e rehatisë nuk prodhon revolucione intelektuale e shoqërore as në aspektin kombëtar, po as në aspektin fetar. Zona e rehatisë i mbyllë individët dhe shoqëritë !

Ajo që ne duhet të ndërgjegjësohemi është që përmes frikës së futjes në zonën e rehatisë, ta shfrytëzojmë kohën në maksimum në përgatitje profesionale dhe personale që një ditë kur Tjetri të mos e përdorë orën policore si mjet luftarak, të jemi të gatshëm për tregun e punës.

Nuk ka asnjë dyshim se njeriu që punon dhe që nuk rri në zonën e rehatisë është njeri i gjallë.