Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë vendimtare sa i përket përfitimit të mjeteve nga Bashkimi Evropian, ndërsa të dhënat tregojnë qartë se mungesa e reformave po e lë vendin pa qasje në dhjetëra miliona euro të planifikuara. Edhe pse tabela e Instrumentit për Reformën dhe Rritjen paraqet nivele të larta potenciale financimi për vitet 2025 dhe 2026, të njëjtat me po aq potencialitet rrezikohen të humben. Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfituar vetëm një pjesë të vogël të fondeve të parashikuara. Bëhet fjalë për rreth 52 milionë euro parafinancim, si mbështetje fillestare, dhe një këst shtesë prej vetëm 8 milionë eurosh të lëshuar në shtator 2025 për reformat e realizuara gjatë vitit 2024. Për të gjitha fazat e tjera të lidhura me reformat konkrete, nuk ka fonde të reja. Kjo do të thotë se pjesa dërrmuese e mjeteve mbetet e bllokuar dhe e kushtëzuar nga përmbushja e obligimeve që deri tani nuk janë realizuar, raporton Portalb.mk.
Sipas vendimit të Komisioni Evropian për lëshimin e parë të mjeteve, vendi përfitoi në total rreth 8 milionë euro, të ndara në disa komponentë, një pjesë si grant, një pjesë si hua dhe një pjesë për mbështetje direkte buxhetore. Një pjesë tjetër e mjeteve, rreth 3.6 milionë euro, u përdor për shlyerjen e parafinancimit të marrë më herët.
Kjo diferencë e madhe mes 70.65 milionë eurove të parapara dhe vetëm rreth 8 milionë eurove të realizuara tregon qartë se mekanizmi funksionon në mënyrë strikte, fondet nuk jepen sipas planit nëse nuk përmbushen reformat.
Në total, për vitin 2024, vendi kishte në dispozicion rreth 17.1 milionë euro, por për shkak të realizimit të pjesshëm të reformave, vetëm rreth 40 përqind e hapave, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve mbeti e bllokuar. Komisioni Evropian konfirmoi se vetëm dy hapa ishin realizuar plotësisht, ndërsa për pjesën tjetër është dhënë një periudhë shtesë deri në dhjetor 2026.
“Kjo paraqet 40 për qind të realizimit të hapave, gjegjësisht 50 përqind në raport me mjetet. Për hapat e mbetur, Komisioni konstatoi se nuk janë realizuar plotësisht dhe për to është paraparë periudhë shtesë (grace period) deri në 24 muaj, përkatësisht deri në muajin dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se shteti ka kohë shtesë për realizimin e tyre dhe për lirimin e mjeteve të mbetura nga mjetet e përgjithshme të alokuara, të cilat arrijnë një shumë prej rreth 17,1 milionë euro”, thanë vitin e kaluar nga MÇE.
Kurba e fondeve në grafikun e mëposhtëm në pjesën e poshtme djathtas, nuk duhet lexuar si para të lëshuara, por si projeksion i mjeteve që do të lëshoheshin vetëm nëse përmbushen reformat. Në këtë kontekst, shifrat prej mbi 134.87 milionë euro për gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe 133.8 milionë eruro në gjysmën e parë të vitit 2026 përfaqësojnë një potencial të paarritur (me shumë rrezik deri në qershor), jo para reale në buxhetin e shtetit. Në fakt, hendeku mes kësaj kurbe dhe realitetit financiar tregon për një problem thelbësor se reformat nuk janë realizuar fare në kohë.
Sipas këtij plani, Maqedonia e Veriut kishte(ka) mundësi të përfitojë:
134.87 milionë euro për gjysmën e dytë të vitit 2025
133.8 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2026
Mirëpo, duke parë situatën në periudhën e kaluar dhe hapat e bëra deri tani, është pothuajse e pamundur të merren këto para, madje ekziston rreziku i humbjes së tyre.
Problemi bëhet edhe më i thellë kur kjo situatë lexohet në dritën e afateve të vendosura nga Komisioni Evropian. Mekanizmi i Planit për Rritje është i ndërtuar mbi një logjikë strikte, çdo hap reformues ka një afat të qartë dhe çdo vonesë e rrezikon drejtpërdrejt marrjen e mjeteve. Për një pjesë të reformave që duhej të përfundonin në vitin 2024, periudha shtesë përfundon më 30 qershor 2026. Kjo lë shumë pak kohë për institucionet që të ndryshojnë drejtimin aktual.


