Mbi 8 mijë persona dyshohet se ende ndodhen nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara në Gaza, ndërsa trupat dhe mbetjet njerëzore vazhdojnë të nxirren nga rrënojat, gati tre vjet pas nisjes së luftës.
Përballë kësaj situate, Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që t’u lejojë hetuesve ndërkombëtarë qasje në të gjitha pjesët e Gazës, me qëllim dokumentimin dhe mbledhjen e provave.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar që hetuesit të kenë mundësi të inspektojnë vendet e shkatërruara, të identifikojnë viktimat dhe të ruajnë të dhënat forenzike.
Sipas Mbrojtjes Civile Palestineze, vetëm që nga nëntori i vitit të kaluar janë nxjerrë mbi 630 trupa dhe mbetje njerëzore nga nën ndërtesat e shembura në Gaza.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se në disa raste janë gjetur mbetje që dyshohet se u përkasin familjeve të tëra.
Ai paralajmëroi se zbulimet nën rrënoja ngrenë sërish shqetësime për krime lufte dhe krime të tjera të rënda.
“Çdo përpjekje e mundshme duhet të bëhet për t’i dokumentuar dhe identifikuar këto viktima, për të ruajtur informacionet forenzike dhe mostrat biologjike, për të regjistruar vendet e varrimit dhe për të informuar familjet e tyre”, tha Türk.
OKB-ja thekson se fakti që një pjesë e madhe e mbetjeve të gjetura u përkasin grave dhe fëmijëve është një tjetër element që, sipas saj, duhet të hetohet në kuadër të dyshimeve për shkelje të ligjeve të luftës.
The post OKB-ja i kërkon Izraelit të mos pengojë hetuesit: Mbi 8 mijë persona dyshohet se janë nën rrënoja appeared first on TV-SHENJA.



