Kundërshtimet opozitare për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D kanë shtyrë që qeveria me flamur evropian t’i sjellë ligjet e nevojshme për marrëveshjen “Bechtel dhe Enka”. Ligjet kanë të bëjnë me shkurtimin e procedurave, ligjin për marrëdhënie pune, dy ligje nga resori i transportit për ndërtim dhe planifikim urbanistik, si dhe ligjin për shpronësim. Rëndësinë e projektit për ndërtimin e korridorit 8 ekonomikisht e përkrah dhe oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, duke potencuar se ky projekt rrit shkëmbimin tregtarë, njëkohësisht duke i mundësuar vendit përshpejtim ekonomik dhe rritjen e potencialit të fitimit.
“Sa i përket vonesave që potencialisht mund të ndodhin në realizimin e korridorit 8 si projekt shumë i madh infrastrukturor, vlerësojmë si odë se humbjet do të jenë të mëdha në aspekt të kalkulimit të fitimit potencial të cilin do ta kishte pasur vendi sikur ta kishim veç se me të realizuar këtë projekt. Vendit i duhet aktivitet i përshpejtuar ekonomik dhe pikërisht ky projekt do ta kishte mundësuar këtë duke iu dhënë qasje kompanive dhe ekonomisë në një treg të ri në kohë dhe kushte më të mira, por vonesa e këtij projekti nuk do ta lejonte atë. Andaj apelojmë institucionet që t’i thirren kësaj logjike, pra logjikës së zhvillimit dhe përshpejtimit ekonomik të vendit tonë.”, – deklaroi Durim Zeqiri nga OEMVP.
OEMVP vlerëson se me mosmiratimin e ligjeve për fillimin e ndërtimit të korridoreve, shteti do të ketë humbje të mjeteve buxhetore që nënkupton shlyerjen e dënimeve dhe shkurtim të mjeteve të destinuara për projekte të tjera kapitale.