Një ish-punonjës i Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) ngre dyshime për nepotizëm, konflikt interesi dhe favorizim në një procedurë punësimi në këtë institucion. Sami Bajrami nga Kumanova, i cili për një vit ka punuar si magazinier në AKE, pretendon se në konkursin ku kishte aplikuar edhe ai është përzgjedhur Besim Jahiu, për të cilin Bajrami thotë se është djali i baxhanakut të drejtorit të Agjencisë, Nusret Halitit.
Sipas sqarimit të Sami Bajramit, nga gjithsej 10 persona që kanë qenë të angazhuar me kontrata pune në Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE), nëntë prej tyre u është vazhduar kontrata me automatizëm në konkursin e ri, ndërsa vetëm Bajramit nuk i është vazhduar marrëdhënia e punës.
“Kam qenë i punësuar në AKE si magazinier për një vit, me kontratë pune. Nuk e di arsyen pse drejtori vendosi të më largojë nga puna; për këtë duhet pyetur vetë ai. Kam tentuar ta takoj për të marrë një shpjegim lidhur me arsyet e largimit tim, por nuk më është mundësuar një takim i tillë”, thotë Bajrami për Nistorin.
“Drejtori Nusret Haliti ka punësuar djalin e baxhanakut të tij, gjë që, sipas meje, ngre dyshime për nepotizëm. Drejtori e shtyu konkursin dhe, kur të nesërmen kontrollova përsëri procedurën, vërejta se ishin ndryshuar anëtarët e komisionit. Dyshoj se ky ndryshim është bërë qëllimisht për të favorizuar kandidatin tjetër”, deklaron Bajrami.
“Sipas informatave që kam dhe për këtë jam 100% i sigurt, drejtori Nusret Haliti ka marrë vendimin për përzgjedhjen e Jahiut. Duke pasur parasysh lidhjen familjare/krushqisë mes drejtorit dhe kandidatit të përzgjedhur, si dhe mënyrën se si është zhvilluar procedura, rasti ngre dyshime serioze për nepotizëm dhe konflikt interesi”, thotë Bajrami.



AKE nuk u është përgjigjur pyetjeve të Nistorit
Për të verifikuar pretendimet dhe për t’i dhënë AKE-ut mundësinë të paraqesë versionin e tij, Nistori iu drejtua zyrtarisht Agjencisë lidhur me procedurën e punësimit. AKE-ut iu kërkua të tregojë sa kandidatë kishin aplikuar, cilat kishin qenë kriteret e vlerësimit dhe mbi çfarë baze Besim Jahiu ishte përzgjedhur si kandidati më i përshtatshëm.
Redaksia kërkoi gjithashtu sqarim për rolin e drejtorit Nusret Haliti në procedurën e përzgjedhjes dhe nëse ai kishte marrë pjesë në vlerësimin, miratimin e vendimit për punësimin e Jahiut.
Duke pasur parasysh pretendimin për lidhjen familjare, AKE-ut iu parashtrua edhe pyetja si e vlerëson Agjencia çështjen e konfliktit të interesit.
Nistori e kontaktoi me telefon edhe drejtorin Nusret Haliti. Ai tha se ishte në dijeni për emailin e redaksisë, por se ende nuk e kishte lexuar dhe se do të përgjigjej pasi të njihej me pyetjet. Pesë ditë pas dërgimit të pyetjeve, deri në publikimin e këtij teksti, Nistori nuk ka marrë përgjigje nga AKE-u.
Redaksia kontaktoi edhe Besim Jahiun në numrin e telefonit që, sipas burimeve brenda AKE-së, figuron si numër i tij i kontaktit. Megjithatë, gjatë telefonatës, personi që u përgjigj mohoi se ishte Jahiu. Sipas të njëjtave burime, numri i kontaktuar nga redaksia është i njëjti numër që Jahiu ka lënë për komunikim me institucionin. Ndryshe Jahiu është me arsim të mesëm dhe dokumenti tregon se ai u punësua në vend të Sami Bajramit, si magazinier. /Nistori/



