Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, është e papranueshme që në Maqedoninë e Veriut ende të diskutohet për të drejta që duhet të jenë të pakontestueshme, siç është e drejta për arsimim në gjuhën amtare, vlerëson Aleanca për Shqiptarët (ASH).
Në një komunikatë për media, ASH thekson se arsimi në gjuhën amtare përbën një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe, si i tillë, nuk mund të relativizohet apo të varet nga vullneti i një qeverie ose shumice politike.
“Arsimimi në gjuhën amtare është një shtyllë e Marrëveshjes dhe nuk mund të relativizohet apo të varet nga vullneti i një qeverie a shumice politike”, thuhet në komunikatë.
Sipas ASH-së, 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të shërbejë si moment reflektimi për të parë se sa prej obligimeve të saj janë shndërruar në realitet të përditshëm.
“E drejta e çdo fëmije shqiptar për t’u arsimuar në gjuhën e vet duhet të vlejë njësoj në çdo komunë dhe në çdo shkollë”, thekson ASH.
Partia paralajmëron se çdo cenim i standardeve të arritura prek drejtpërdrejt frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe marrëdhëniet ndëretnike mbi të cilat mbështetet stabiliteti i vendit.
Për ASH-në, Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të mbetet vetëm një dokument politik që përkujtohet në përvjetorë, por duhet të jetë pjesë e funksionimit të institucioneve dhe e jetës së përditshme të qytetarëve.
“Pas 25 vitesh, shqiptarët nuk duhet të kërkojnë sërish realizimin e të drejtave të fituara. Institucionet kanë detyrim t’i zbatojnë plotësisht, pa vonesa dhe pa standarde të dyfishta. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetojë në institucione dhe në jetën e përditshme, jo vetëm në fjalimet për përvjetorë”, përfundon ASH.
MARKETING


