Emisioni Investigativ ‘Tak Fak’, u ndal këtë të hënë te një premtim i pambajtur nga Ministria e Shëndetësisë, që daton në vitin 2023 dhe vazhdon ende të jetë në letër. Bëhet fjalë për kabinetet e fizioterapisë në 17 Qendra Shëndetësore, kryesisht në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit.
Pas kamerave të fshehta, ‘Tak Fak’ shkoi në po këto qendra shëndetësore, ku drejtorët u ballafaquan me të dhënat, por ata zgjodhën të mos flasin ose të justifikohen.
Një prej mjekëve në qendrën shëndetësorë të Kombinatit foli për mikrofonin e ‘Tak Fak’, duke thënë se në zonë ka rreth 35 pacientë me sklerozë multiple, por aparaturat e nevojshme për terapinë e tyre nuk janë në qendër.
“Si pacientë deri më sot kemi 35-37 që janë në zonën që mbulojmë ne. Burimet njerëzore janë të mjaftueshme, por aparaturat nuk i kemi. Kemi bërë kërkesat dhe presim përgjigjen”, tha ai.
Më e pazakontë ka qenë situate në Qendrën Shëndetësore të Kamzës, ku drejtoresha është mbyllur në zyrën e saj dhe ka refuzuar të hapë derën pavarësisht thirrjeve nga gazetarja e ‘Tak Fak’ që kishte shkuar për të pyetur në lidhje me shërbimin e fizioterapisë.
Nga ana tjetër, në Qendrën Shëndetësore të Vorës, drejtoresha e kësaj qendre në fillim ka refuzuar të japë informacion, duke pretenduar se nuk ka autoritet dhe se ky informacion merret vetëm përmes ministrisë përkatëse.
Megjithatë, ajo këmbënguli se në Qendrën Shëndetësore të Vorës ofrohet shërbimi i fizioterapisë, por pretendoi se “nuk kishte kohë” të tregonte ambientet ku qytetarët duhet të marrin këtë shërbim.
Edhe drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr.10 ka këmbëngul për ofrimin e shërbimit të fizioterapisë, por ka insistuar në një telefonatë me gazetaren e ‘Tak Fak’ që të “mos vazhdojnë më gjatë” këtë diskutim.
Drejtuesi i shoqatës ‘Pema e Jetës’ Tanush Çaushi, tha për ‘Tak Fak’ se situata është shumë serioze dhe të sëmurët me Sklerozë Multiple, duhet të paguajnë deri në 200 euro nëpër fizioterapistë privatë dhe mungesa e këtij shërbimi në shtet, mund t’i çojë në karrocë ose deri në vdekjen e tyre.
“Ne kemi nevojë për fizioterapistë, jo vetëm të na thonë se janë disa ushtrime. Ky grup pacientësh duhet të trajtohet sipas nevojave përmes buxhetit të shtetit. Ka një indiferentizëm të madh këtu që nuk e kuptoj, bëhet fjalë për shumë njerëz që kanë nevojë”, u shpreh ai.