4 September 2018 / 14:32
Nxënësit e shkollës fillore në fshatin Novosellë të Bogovinës kanë ndërprerë bojkotin e mësimit. Banorët pas protestës së një dite më parë morën premtime nga Ministria e Arsimit se pas 60 ditësh do fillojnë punët për ndërtimin e objektit të ri të shkollës. Megjithatë prindërit kanë paralajmëruar se nëse pas dy muajsh nuk realizohet premtimi i dhënë, fëmijët e tyre do t’i rikthehen bojkotit.
“Besim nuk kemi se në politik premtime janë normale dhe zgjatin me vite, pesë apo gjashtë vite nuk është çudi”.
“Nëse nuk plotësohet premtimi sërish njerëzit do e ndalin mësimin do ketë bojkot, besoj te ministri i arsimit vetëm se është një djalë i ri, po nëse nuk e mba premtimin atëherë duhet ta lerë detyrën të jep dorëheqje”.
“Patën diku rreth 90 për qind të nxënësve prezent në klasat e improvizuara me kushtet që më parë edhe ju vet i keni pa”.
Për dallim nga një ditë më parë kur dhe ngritën zërin për ndërtimin e shkollës së tyre, nxënësit e shkollës “11 Tetori”, ishin të lumtur që u ulën në banka.
A ishit në mësime sot? A do vazhdoni të shkoni për dita?
“Po ishim, po do shkojmë”.
“Gjysmat erdhëm sot në shkollë”.
200 nxënës të fshatit Novosellë të Komunës së Bogovinës nuk e nisën vitin e ri shkollor sikurse edhe bashkëmoshatarët e tyre një ditë më parë, për shkak të mungesës së hapësirës së përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor. Shkolla e fshatit ishte djegur në tetor të vitit të kaluar, dhe që atëherë e njëjta nuk është rindërtuar.
Bashkim Sulejmani


