Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka folur sot në studion e Klan News sa i takon arrestimit të ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Ai e cilësoi Dakon një kriminel elektoral dhe tha se SPAK veproi tani ndaj tij me porosi të Kryeministrit.
“Dakon e morën, e keqpërdorën dhe në fund e hodhën. E shtrydhën si limon në fushatë. Gjushi për ne është një kriminel elektoral, i përdorur për të blerë vota. Kur ju thashë që e morën e keqpërdorën dhe e shtrydhën si limon, Ramës nuk i duhet më Gjushi dhe sigurisht porosia është që SPAK të mbaronte punë, i duhej para zgjedhjeve për të blerë e tjetërsuar vota. Edi Rama ka një parim të tijin, gjen gjithmonë metoda për të larë duart pasi u bën varrin bashkëpunëtorëve të tij. E quan mik si mesazh, për të ruajtur kodin e mafias, të heshtjes sepse Dako di shumë për Ramën. Edhe me Saimir Tahirin komunikonte me kode.
Qeveria më të mirë se e Sali Berishës nuk ka pasur Shqipëria deri më sot, më dinjitozen, në atë kohë taksat i ktheheshin qytetarëve në të mira materiale. Drejtësia ka mbyllë shumë sytë, por nuk mund t’i mbyllë përgjithmonë, këtu bën mu, shko te shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, ato koncensionet e famshme, një kioskë merr koncensionet e dializës, janë ulëritëse të gjitha këto.”
Veç Dakos, demokrati foli dhe për situatën në kampin opozitar. Ai u shpreh se përveç Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt, çdo personazh tjetër politik është pjesë e familjes së PD-së, pavarësisht qasjes apo ideve të ndryshme.
“Pjesë e familjes tonë politike nuk janë vetëm Brava dhe Alibasha, janë shërbëtorë me pagesë të Edi Ramës për të shkatërruar familjen tonë politike. Çdokush tjetër është pjesë e familjes politike, mund të ketë qasje të ndryshme, ide të ndryshme.
Kjo është një gjë shumë e keqe, duhet dënuar dhuna, shantazhi që i bëhet deputetit. Lulzim Basha bëhet trim sepse mercenarët ia çoi Edi Rama dhe ka dhe pafytyrësinë që del dhe bën rolin e strucit.”/tvklan.al