Luftëtarët e Redut-it gjatë trajnimeve në qendrën trajnuese në Rambov të Rusisë.
Planifikuesit ushtarakë kanë rekrutuar ushtarë edhe përmes njësive të tjera vullnetare joformale – njëra e njohur me akronimin rus BARS dhe tjetra e quajtur Redut. Këto njësi janë, gjithashtu, grupe mercenare private – në dukje si Wagneri i dikurshëm, por më të vogla, më të ndryshme dhe me burime të ndryshme financimi.
Rruga e kthimit
Autoritetet, në anën tjetër, kanë rritur zemërimin e grave dhe nënave të ushtarëve, duke mos i zëvendësuar ushtarët e lodhur me të rinj. Në fillim të shtatorit, një kanal në Telegram me rreth 400 abonentë, i quajtur Rruga e Kthimit, publikoi udhëzime për njerëzit që t’u shkruanin politikanëve për t’iu kërkuar rotacionin e djemve ose burrave të tyre. Kanali, ndërkohë, është bërë edhe më i popullarizuar. Më 12 nëntor, ai publikoi një manifest, i cili bën thirrje për “çmobilizim të plotë, stabilitet politik dhe jetë të denjë për çdo qytetar të Rusisë”.
Është e paqartë se kush qëndron pas kanalit; organizatorët nuk mund të kontaktoheshin për koment. Por, nga ajo kohë, kanë nisur të shfaqen protesta dhe thirrje publike, të ngjashme me ato në Çerepovets. Në fillim të këtij muaji në Moskë, autoritetet refuzuan një leje për demonstratë publike. Si kundërpërgjigje, dhjetëra gra – disa duke mbajtur pankarta që lexonin “Është koha që të mobilizuarit të kthehen në shtëpi” – organizuan një tubim spontan përkrah një demonstrate të autorizuar, të organizuar nga Partia Komuniste. Policia rrethoi grupin pas rreth pesë minutash.
Në qytetin e Siberisë, Krasnojarsk, autoritetet refuzuan një kërkesë të një grupi tjetër për të mbajtur një demonstratë më 11 nëntor, duke përmendur shqetësimet për përhapjen e koronavirusit. Zyrtarët e Shën Petersburgut bllokuan, po ashtu, një demonstratë të kërkuar për datën 26 nëntor. Mospajtimet kanë të bëjnë kryesisht me kthimin e ushtarëve nga Ukraina. Pak – nëse ndonjë – shprehin kundërshtim të plotë ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.
Një grua e identifikuar vetëm si Nina postoi një video në kanalin Rruga e Kthimit, ku tha se e mbështet luftën dhe përdori të njëjtin justifikim si Kremlini: Rusia po lufton “fashizmin”.
“Personalisht, nuk jam kundër operacionit ushtarak special. Unë nuk e mbështes idenë për të bërë paqe me fashizmin. Por, është krejtësisht e padrejtë që ata [të rekrutuarit] ta kryejnë detyrën e personelit profesionist ushtarak për të 14-tin muajin me radhë, në mënyrë të pacaktuar dhe të përhershme, njësoj si skllevër”, tha Nina.
Është e qartë se autoritetet po përpiqen që ta parandalojnë shndërrimin e mospajtimeve në diçka më të madhe. Në Krasnojarsk dhe në një qytet tjetër siberian, Kemerovo, zyrtarët e policisë vizituan disa nga organizatorët e protestave, përpara mitingjeve, duke i kërcënuar me ndëshkime të mundshme. Në Novosibirsk, zyrtarët mbajtën një takim me dyer të mbyllura me gratë e ushtarëve, duke i paralajmëruar ato që të mos zhvillojnë protesta publike. Mediat shtetërore u lejuan të merrnin pjesë në takim; gazetarët e pavarur jo. “Qëllimi është që këto familje të ndjehen të frikësuara, të vëzhguara dhe të vetmuara”, thotë Massicot.
Mobilizimi 2.0?
Për perspektivën e një mobilizimi të ri, praktikisht, nuk ka pasur asnjë diskutim publik. Shifrat e viktimave ruse nuk diskutohen kurrë në mediat shtetërore. Megjithatë, mundësia ka depërtuar nëpër disa qoshe të shoqërisë. Një sondazh nga kompania “Russian Field” tregoi se 58 për qind e të anketuarve e kundërshtojnë idenë, ndërsa vetëm 32 për qind e mbështesin. Gjatë sondazhit u anketuan 1.611 rusë me telefon, në javën e fundit të tetorit. Aktualisht, problemet e Rusisë me ushtarë nënkuptojnë se forcat e saj nuk do të jenë në gjendje të bëjnë lëvizje të rëndësishme në fushën e betejës.
“Ata nuk kanë ushtarë për të kryer ndonjë lloj operacioni të madh sulmues. Vetëm gjëra të vogla… vetëm për të mbajtur kontaktin me ukrainasit”, thotë analist finlandez, Forsstrom. Duke pasur parasysh jopopullaritetin e mobilizimit të ri, Kremlini pritet ta shmangë atë deri në zgjedhjet e marsit. Pas kësaj, shanset për një mobilizim të dytë mund të rriten dukshëm. “Do të vijë vala e dytë e mobilizimit”, parashikon Forsstrom. “Do të vijë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale, para verës”, sipas tij.



