Ervin Hatibi është nga ata poetë që e kanë njohur revoltën përpara se ajo të bëhej lajm. Ishte zëri i një brezi në vitet ’90, kur Shqipëria kërkonte të dilte nga diktatura dhe të rinjtë mbushnin rrugët me zemërim, shpresë dhe ëndrra për lirinë. Atëherë, Hatibi ishte vetë pjesë e asaj kohe dhe poezia e tij mbante gjurmët e saj.
Më shumë se tri dekada më vonë, kur një brez tjetër të rinjsh ka dalë në rrugët e Tiranës, poeti që prej vitesh shkruan e publikon më rrallë është rikthyer me një poezi për protestën.
Nuk është një poezi me thirrje politike apo slogane. Është një poezi ku dëgjohen zilet e lebrozëve, ku asfalti mban gjurmë gjaku, ku shfaqen trupat e plagosur dhe ku, mes flakëve, lind një çetë engjëjsh. Hatibi i sheh ngjarjet përmes gjuhës së tij poetike, duke i dhënë dhimbjes dhe revoltës një tjetër dimension.
Poezia mban titullin në anglisht “Ervin Hatibi, turn this protest into poetry”. Dhe ka diçka domethënëse në këtë rikthim: poeti i rinisë së viteve ’90 shkruan sërish për një rini që proteston, në një Shqipëri që, pas kaq shumë vitesh, vazhdon të përballet me pyetjet e saj për lirinë, dinjitetin dhe pushtetin.
Poezia e plotë e Ervin Hatibit:
“Ervin Hatibi, turn this protest into poetry”
Kush do vjersha të buk’ra, le të shkojë te makina
po makina s’ta ngjit dot lebrën
Është zilja: poezi është tringëllim’ e ziles tek ngjeth përreth, kur
hap pas hapi lebrozin përndjek
Pa puthe po deshe! Poet është veç kush druhet të puthë
nga frika mos i zbulon kush sekretin
Me zilen në qafë, fytyrën mbuluar, dëgjon nga larg si siguron njerëzit
E digjet t’i puthë, ai zjarr e mban, se kjo është dashuria
jo puthja që pranoi Mesia
Pse kjo puthje damkos, fut në burg, nxjerr mjekra te gratë ajo puthje
Prandaj dhe nuk puth, ajo prekje plagos, prandaj puth veç
lebrozë, që infektojnë, e zilet bëjn’ kor
•
Prandaj puth nga larg, me tingull, puth tinguj
Puth asfaltin ku ra një pikë gjak i Evës
Tring! Puth asfaltin lotsjellës ku ra në betejë
trup’ i plagosur i Muhamedit
Puth shkopat e fshehur nën gomë, puth shkopinjtë që krijojnë
armata shenjtorësh, një çetë me engjëj
qoftë dhe prej hajdutësh të vegjël gazmorë
mes flakësh, horizontvjedhur
Puth nëpër rërë vijën e gjatë që gërmoi heqja zvarrë e Edit
Subashit, zëshuar, pa ndjenja, krijonte
me trup vijë fronti buzë detit
E ndau ajo vijë poshtërimi përgjysëm komplet historinë e vendit
Ashtu pastaj vrasësin e Patroklit të shkretë tërhiqnin
para se t’i digjnin
Ashtu qe poezia, zilja që shtypej nën një trup torturuar
nofullshtrënguar, zilja që kumboi mërinë brenda teje
Ervin Hatibi | 20.10.2026 (Publikuar së pari në: Nyje.al)




