Për nivelin e ulët të mirëqenies në Maqedoni, flet gjendja ekonomike e qytetarëve, të cilët nuk arrijnë të ikin për pushime. Harxhimet për pushime të familjeve në Maqedoni janë shumë më të ulëta se ato të shteteve perëndoimore. Shumë qytetarë e pohojnë se nuk arrijnë të përmbushin nevojat elementare, e nuk mendojnë për mobileri të shtrenjta, veshje, aq më pak për pushime në det, shkruan Almakos.
Arti, i cili ka ardhur nga larg, në Maqedoni, thotë se ky vend nuk ka det, por synimi i tij është të jetë pranë familjarëve. Ai ka ikur dhjetë vite më pare në Gjermani, ndonëse ka dëshirë që të vjen çdo vit, por nuk e ka mundësinë.
“Kam dhjetë ditë që gjendem në Maqedoni, për pyetjen tuaj se a keni standard që të shkoni vit për vit në det, unë personalisht, edhepse ne kurbetçarët shquhemi që kemi më shumë para, por një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ne kemi shpenzime, për nevojat e përditshme, taksat komunale, kredia e shtëpisë, të gjitha këto harxhime, minusojnë pagën. Ju tregova edhe më herët që nuk vi vit për vit, njëher në dy vite ose më herët. Mua më pëlqen të jem pranë familjarëve, dhe kjo është e bukura e jetës, dhe ajo që më kënaq. Për standardin e njerëzve të mi, mund të them, se ata nuk mund t’i përmbushin nevojat elementare”, tha Arti Shabani, për Almakos.
Ndërsa, Mentor Qerimi, një burrë gjashtëdhjet vjeçar thotë, për Almakos, tha se në jetën e tij ka bërë pushime vetëm tre herë në jetë.
“Kam bërë pushime pasi ra diktatura e Enver Hoxhës, atëherë ishte më shumë dashuri ndaj Atdheut se sa për detin. Ishin pesëmbëdhjetë ditë, që sy e vesh më dëgjoni gjuhën e pastër shqipe. Pastaj me shtymin e familjes u shtuan edhe shpenzimet. Gjithë jetës kam punuar e investuar në shtëpi, bashkëshortja ndonëse kreu pedagogjinë, nuk arriti të punësohet, por e përvetësoi zanatin e rrobaqepëses, e cila punë është e herë pas hershme. Na u dha rasti që para shtatë viteve përsëri të vizitojmë Durrësin. E këtë vit pushuam në Golem, por gjithëçka e programuar, pra sa të harxhojmë, e sa të qëndrojmë. Standardi i jetës në Maqedoni është i dobët dhe kemi shumë harxhime”, tha Qerimi, për Almakos.
Amire Fetai, thotë se asnjëherë nuk ka shkuar në det. Ajo është vetë e shtata në familje dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme.
“Jetojmë me të ardhurat e burrit, i cili punon punë krahu. Buxhet ky i pamjaftueshëm për ushqim dhe veshje. Ne mezi arrijmë të bëjmë pagesën e taksave komunale. Detin ne e kemi pa vetëm në televizor. Ne kemi qenë dhjetë anëtarë në familje dhe kemi patur problem të natyrave të ndryshme”, tha Amirja, për Almakos.
Anketat e Entit të Statistikës kanë treguar se madje 77 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se nuk shkojnë në pushime për shkak të mungesës së parave, ndërsa afër 4 për qind nuk shkojnë në pushime për shkak të problemeve me shëndetin, çështjet afariste, ose për shkak se nuk kanë nevojë për një gjë të tillë. Pushimi vjetor më së shumti shfrytëzohet në muajin maj, qershor, shtator dhe tetor. Prej atyre që shijojnë pushime, me dy të tretat dominojnë ato që akomodohen në dhoma private dhe jo në hotele. Përveç pamundësisë për shkuarje në pushime, standardin e ulët të qytetarëve në Maqedoni e mbështet edhe pamundësia për të kënaqur sa dhe si duhet disa nga nevojat themelore të jetesës. Njëherazi anketat tregojnë se në periudhën 2010-2016 është zvogëluar nga 54,6 në 41.5 për qind numri i familjeve që kanë mundësi të dalin për darkë apo për pije një herë në muaj. Është zvogëluar përgjatë kësaj periudhe prej 16.5 në 15 për qind edhe numri i familjeve që kanë mundësi të paguajnë qiranë në raport me gjendjen e tyre financiare, ndërsa ka mbetur në nivele të përafërta prej 27 për qind numri i familjeve që kanë mundësi të paguajnë kreditë apo borxhet në bazë të mundësisë së tyre financiare. Ndryshe, nivelin e ulët e të ardhurave mujore e tregojnë edhe analizat e ndryshme, sipas të cilave 76 për qind e të punësuarve në Maqedoni pranojnë pagë më të vogël se 20 mijë denarë.
Delvina Kërluku
Almakos.com

