Që prej kësaj të premteje, 1 maj, Shqipëria dhe Kosova kanë rikthyer zyrtarisht regjimin e kalimit pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të dy vendeve. Masa do të jetë në fuqi deri më 30 shtator dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtarëve rritet ndjeshëm.
Sipas marrëveshjes, automjetet me targa të Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë në pikat kufitare pa ndalesa dhe pa procedurat standarde të kontrollit. Ndërkohë, mjetet me targa të huaja do të përballen vetëm me kontrolle të shpejta, për të shmangur vonesat dhe radhët e gjata, veçanërisht në Morinë–Vërmicë.
Lehtësimi i kalimit rikthehet pas dy muajsh ndërprerje, pasi gjatë marsit dhe prillit u zbatuan kontrollet e plota. Edhe në atë periudhë, fundjavat dhe festat zyrtare vijuan me regjim të thjeshtuar për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky model bashkëpunimi mes dy vendeve ka sjellë përfitime të dukshme ndër vite, sidomos në verë, duke nxitur turizmin, vizitat familjare dhe shkëmbimet tregtare.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në orët e para të ditës së premte kanë hyrë në Shqipëri rreth 20 mijë qytetarë, shumica nga Kosova.


