Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka si objektiv të investojë mbi 1 miliard euro në forcimin e ushtrisë gjatë këtij mandati, duke e theksuar zhvillimin e Forcës së Sigurisë si një prioritet të rëndësishëm.
Këto komente ai i bëri gjatë ceremonisë së betimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku 515 ushtarë të rinj u betuan, duke shënuar kështu gjeneratën më të madhe të këtij institucioni deri më tani.
“Sot, në kazermën ‘Adem Jashari’, një vend që simbolizon qëndresën shqiptare, jemi mbledhur për të festuar një moment të rëndësishëm për ju dhe për vendin tonë. Këta 515 ushtarë të rinj janë garantues të lirisë dhe paqes. Betimi juaj sot është një shenjë e vendosmërisë sonë për të mos u nënshtruar”, tha Kurti.
Ai theksoi se flijimi i dëshmorëve dhe martirëve është një obligim për të ruajtur të vërtetën historike dhe për të nderuar luftën çlirimtare.
“Na obligon që të kujtojmë sakrificat e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Çdo krahinë e Kosovës ka histori të rezistencës dhe përpjekjeve për liri. Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe zhvillimi i saj është një detyrë e rëndësishme për ne”, theksoi ai.
Kurti njoftoi se gjatë mandatit të kaluar, buxheti i ushtrisë u trefishua dhe se në këtë mandat, qeveria ka për qëllim të investojë mbi 1 miliard euro. Ai gjithashtu theksoi se janë rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke dyfishuar numrin e forcës.
“Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Ushtria jonë po kompletohet çdo ditë e më shumë, dhe synimi ynë është që të bëhemi pjesë e NATO-s”, tha ai.
Kurti përmendi gjithashtu angazhimin e ushtrisë në misionet ndërkombëtare dhe avancimin në industrinë e mbrojtjes, duke njoftuar se deri në fund të vitit do të fillojë prodhimi i municionit në fabrikën e re në Gjakovë.


