Deputetja e pavarur në Kuvendin e Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka dënuar deklaratën e kryetarit të partisë “Maqedonia e Bashkuar”, Janko Baçev, i cili, sipas saj, ka bërë thirrje për dhunë ndaj studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Në një reagim publik, Koçeku thekson se Baçev ka kërkuar që studentëve shqiptarë, të cilët protestojnë për të drejtat e tyre dhe kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, t’u jepen “dy-tri shuplaka edukuese dhe t’i kthejnë në shtëpi”.
Deputetja e cilëson këtë gjuhë si nxitje të dhunës dhe kërkon që deklarata të dënohet fuqishëm, ndërsa organet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
“Kjo gjuhë dhe nxitje dhune që vjen nga kryetari i një partie pro-ruse ndaj studentëve shqiptarë atje duhet dënuar fuqishëm dhe të trajtohet nga organet kompetente”, shkruan Koçeku.
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë protestuar disa herë, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale shtetërore të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.



