Kishin kaluar disa javë pas publikimit të së ashtuquajturës bombës së parë të Zaevit. Në Tetovë dhe Kumanovë u njoftua se janë hedhur bomba të vërteta në stacionet policore, ndërsa në Shkup një granatë u hodh në objektin e Qeverisë. Në të njëjtën kohë një shpërthim i vogël ndodhi edhe para selisë së BDI-së në Tetovë.
Ende pa u zbardhur këto raste, një grup i panjohur për kohën kishte sulmuar edhe kulla policore në Gushincë prej ku u mor një sasi e madhe armatimi. Pas këtij rasti në opinion filluan të qarkullojnë informata për ekzistimin e një grupi të armatosur, u lëshua dhe një komunikatë në emër të UÇK-së, ndërsa u shtuan edhe teori për skenare lufte. Pas gjithë këtyre ngjarjeve, mëngjesin e 9 majit në Lagjen e Trimave të Kumanovës u dëgjuan krisma të armëve dhe shpërthime, ndërsa mbi shtëpitë e kësaj lagje dilte tym i zi dhe shiheshin helikopter dhe fluturake pa pilot që monitoronin situatën. Më vonë u mësua se në Lagjen e Trimave zhvilloheshin luftime mes një grupi të armatosur shqiptarë, pjesa më e madhe t ëcilëve kishin ardhur nga Kosova dhe njësiteve speciale të policisë së Maqedonisë.
Në luftimet që zgjatën 48 orë u vranë 8 policë dhe 14 pjestarë të grupit të armatosur, ndërsa 42 policë mbetën të plagosur. Pas përfundimit të aksionit 29 pjestarë të grupit u arrestuan, ndërsa më pas këtij grupi policia ia shtoi edhe të akuzuar të tjerë. Në opinion u ngritën shumë dyshime se e gjithë kjo ishte një skenar për të defokusuar opinionin nga të ashtuquajturat bombat dhe se ishte përgaditur nga pushteti i atëhershëm. Dy ditë pas kësaj ngjarje dhanë dorëheqje ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov.
Edhe vetë familjarët e të akuzuarve akuzuan Qeverinë e Maqedonisë si dhe partnerin shqiptar në Qeveri, Bashkimin Demokratik për Integrim për gjithë atë që ndodhi në Lagjen e Trimave. Një vit më vonë filloi procesi gjyqësor ku një pjesë e grupit mohuan të kishin qenë pjesë e grupit, ndërsa pjesa më e madhe pranuan pjesëmarrjen në grup, por mohuan akuzën për terrorizëm. Edhe vetë të arrestuarit thanë para gjykatës se bëhet fjalë për komplot dhe kërkuan si dëshmitar ish ministren Gordana Jankullovska, ish drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, Artan Grubin, Sadulla Durakun dhe Shenasi Memetin, agjent i Agjencionit për Zbulim.
Por, gjykata nuk pranoi si dëshmitarë emrat e kërkuar nga të akuzuarit. Në gjykatë pati edhe akuza se disha nga të arrestuarit ishin vrarë pasi janë kapur të gjallë, ndërsa shumë prej të mbijetuarve u ankuan edhe për maltretim nga ana e policisë gjatë transportit. Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal me burg të përjetshëm për të gjithë personat e akuzuar në rastin e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ndërsa fjalën e fundit gjykata pritet ta japë nesër, pas dëgjimit të të gjithë të akuzuarve dhe dëshmitarëve. Arben Zeqiri /SHENJA/

