24 September
Sonte në mesnatë fillon edhe zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 13 tetor. Këto janë zgjedhjet e para që organizohen nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev. Ndërkohë kandidatët për kryetarë komunash sot nënshkruan Kodeksin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, përmes të cilit zotohen se do të respektojnë rregullativën ligjore gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve. Përmes Kodeksit parashikohet që partitë politike të mos ushtrojnë presion mbi të punësuarit e administratës publike dhe shtetërore dhe institucionet tjera të financuara nga buxheti i shtetit.
Kodeksi për zgjedhje të lira dhe demokratike u nënshkrua pothuajse nga të gjithë kandidatët përfshi edhe ata që garojnë për qytetin e Shkupit, siç janë: Petre Shilegov nga LSDM-ja, Koce Trajanovski nga VMRO-DPMNE-ja, Nafije Selmani nga Lëvizja Besa, Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, Bekim Fazliu nga radhët e PDSH-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim kësaj radhe nuk e pa të arsyeshme që të nominoj kandidat të sajin për qytetin e Shkupit.
Ndërkohë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e këtij cikli zgjedhor.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në gjithsej 80 komuna të vendit dhe në Qytetin e Shkupit. Në to do të garojnë 19 parti politike dhe koalicione si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltarë komunal.
Vjollca Aliti

