Në komunën e Tetovës janë 19 nga gjithsej 37 raste të personave të infektuar me koronavirus në rajon, njoftoi sot Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës.
Në Bogovinë ka 7, Bërvenicë dhe Tearcë me nga 5 dhe në komunën e Zhelinës ka një person të infektuar me KOVID-19. Komuna e Jegunocës nuk ka të infektuar.
“Shtabi i Krizës i krijuar në korniza të komunës së Tetovës edhe një herë i bën thirrje Bankës Popullore që të dërgojë udhëzime për të gjitha bankat në komunën e Tetovës që të rregullojnë orarin e punës në këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe të gjejnë model pune për pagesën e pensioneve, në mënyrë që personat e rritur të mos mblidhen para hyrjeve të bankave”, tha kryetarja e komunës, Teuta Arifi.
Në Tetovë, 19 nga 37 raste të koronavirusit në rajon, në Jegunocë nuk ka të infektuar
Ajo informoi se dezinfektimi dhe deratizimi vazhdon në qytet.
Komuna do të bëjë thirrje edhe një herë në të gjitha marketet që kanë dokumentacion të plotë për punën e tyre dhe më shumë se dy punonjës që të jenë në gjendje të sjellin sende ushqimore gjatë orarit të orës policore deri në ora 12 të mërkurën. Qëllimi është që të gjithë qytetarët të shërbehen me kohë, jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat e komunës.
Arifi gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin informacionin zyrtar në lidhje me koronavirusin.
“Këto janë momente kur duhet të jemi të durueshëm në respektimin e masave të marra nga ata që janë përgjegjës – Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Le të mos i nënshtrohemi informacioneve të rreme, por të udhëhiqemi nga të dhënat zyrtare”, theksoi Arifi.



