Kryeministri Edi Rama foli sërish për fushatën elektorale të Partisë Demokratike te Sheshi “Nënë Tereza”, ku u mblodhën një numër i madh njerëzish, duke e cilësuar këtë papërgjegjshmëri të partisë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama tha se ai nuk ka ndërmend të bjerë pre e emocioneve politike apo e bazës së partisë.
Ai tregoi se edhe në telefonin e tij ka mesazhe pafund nga socialistët, që i kërkojnë të dalin edhe ata në grumbullime, por sipas Ramës, shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka.
“Mendoj se ka diçka që nuk shkon te ju në këtë rast, në kuptimin që ju bëni një koment sikur ne jetojmë në kohë normale dhe sikur këtu bëhet fjalë për një strategji që lidhet me një zgjedhje të lirë, që ne të mos bënim sot një miting tradicional. Jemi në kushte pandemie dhe jemi në një kohë shumë të rrezikshme, për shkak të mundësisë reale që numrat, edhe si pasojë e variantit britanik që ka hyrë në Shqipëri, të rriten në mënyrë të ndjeshme. Jemi në një kohë kur vendet e tjera janë në lock-down total dhe në këtë vend ka një rregull në fuqi, është në fuqi, nuk ka rënë, një rregull që duhet ta zbatojnë të gjithë, e mbi të gjitha ne, që kemi përgjegjësinë të përfaqësojmë të tjerët. Ky rregull nuk lejon të tilla shfaqje të rrezikshme për shëndetin.
Ajo që u shfaq sot te “Nënë Tereza” ishte shfaqje papërgjegjshmërie, shfaqje rrumpalle, vulgariteti, e rrezikshme për shëndetin. Nuk kam ndërmend të bie në kurthin e emocioneve politike apo të bazës së partisë. Po ta shikoni telefonin tim, vijnë mesazhe pa fund se pse nuk dalim edhe ne, pse kështu, e pse ashtu, por jo, sepse gjëja më e rëndësishme sot është të ruajmë shëndetin. Unë i dua njerëzit të shëndetshëm edhe pas 25 prillit. Berisha ishte vetë apo e ruajti mirë atë ndenjësen e vet? Ky vullkanin ua la atyre që vajtën e le të digjet kush të dojë në atë vullkan. Grumbullime të tilla janë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Në kushtet kur je i detyruar të respektosh standardin, t’i bësh njerëzve të tu më të afërm, t’i lësh të të presin një orë në të ftohtë, kjo është papërgjegjshmëri”, tha Rama.



