Ministria e Punëve të Brendshme në aksion të përforcuar të veprimit në komunikacion gjatë ditës së djeshme në territorin e Qytetit të Shkupit ka shqiptuar gjithsej 162 masa, mes të cilave 106 për vozitje më shumë se shpejtësia e lejuar.
Siç informojnë nga MPB-ja, nga sanksionet e shqiptuara, nëntë janë për vozitje nën ndikimin e alkoolit, 10 për vozitje pa patentë shoferi, dy për shofer fillestar, dy për mos përdorimin e rripit të sigurimit, tre për përdorimin e celularit , dy për automjete të paregjistruara dhe teknikisht të dëmtuara, katër për mosdhënie përparësie për këmbësorët, dy për kalim në dritën e kuqe, katër për kundërvajtje të kryera nga çiklistët dhe motoçiklistët, shtatë për parkim të paligjshëm.
Nga MPB-ja paralajmërojnë se edhe në ditët në vijim vazhdojnë aksionet e përforcuara të kontrolleve dhe apelojnë që qytetarët t’i respektojnë rregullat në komunikacion në mënyrë që, siç thonë, ta rrisin sigurinë në komunikacion dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta.



