Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, ka akuzuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) se ndikohet nga SHBA-ja dhe vendet evropiane, transmeton Anadolu.
“Përtej këtij dëmi formal, këmbëngulja e agjencisë në raportime të njëanshme dhe të paragjykuara për programin paqësor bërthamor të Iranit, e shkaktuar nga qasjet politike të disa prej drejtuesve të saj dhe ndikimi i SHBA-së dhe vendeve evropiane, i ka shkaktuar një goditje të pariparueshme besueshmërisë teknike dhe ndërkombëtare të këtij institucioni”, tha Baqaei gjatë një konference për media në Teheran.
Siç raporton agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, Baqaei gjithashtu akuzoi Washingtonin se po “ia zbraz konceptit të diplomacisë dhe negociatave kuptimin e tij të vërtetë”.
Akuzat erdhën pak pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaroi se kishte shënjestruar me gjashtë dronë një sistem amerikan të radarëve të paralajmërimit të hershëm në bazën ajrore Al-Riffa në Bahrein.
Forcat e Mbrojtjes së Bahreinit thanë se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kishin interceptuar dhe shkatërruar disa sulme ajrore iraniane, duke akuzuar Teheranin se po vazhdon “qëndrimin sistematik armiqësor”.
Përshkallëzimi vjen në mes të tensioneve të vazhdueshme mes Iranit dhe SHBA-së lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore strategjike për furnizimet globale me energji dhe mallra.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në shkurt, duke shkaktuar sulme hakmarrëse iraniane që shënjestruan disa vende të rajonit.
Një armëpushim u arrit në prill, por luftimet rifilluan në korrik, pasi negociatat ngecën, pavarësisht se të dyja palët kishin nënshkruar një muaj më parë një memorandum mirëkuptimi për zgjidhjen e konfliktit të tyre.
MARKETING
<!–



