Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot Lubomir Joveski duhet të emërohet për prokuror të ri publik të shtetit.
Qeveria më 7 nëntor i propozoi Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë të emërohet Lubomir Joveski, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë.
Në konkursin që e shpalli Qeveria më 14 shtator për prokuror publik shtetëror janë paraqitur 23 kandidatë. Pas paraqitjes së kandidatëve, Këshilli i prokurorëve publikë, në kërkesë të Qeverisë i dorëzoi mendim të elaboruar në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs që i plotësojnë kushtet. Mendimi i Këshillit është i obligueshëm për Qeverinë, e cila megjithatë kandidatët e propozuar i dorëzon deri në Kuvend.
Gjashtëdhjetë e tre vjeçari Joveski në punën e tij të deritanishme ka vepruar në fushën penale. Më shumë se 15 vjet ka punuar si gjykatës për veprat penale, ndërsa në një mandat ka udhëhequr me Gjykatën themelore Shkupi 2, ndërsa ka edhe përvojë pune mbi 12 vjet si prokuror publik dhe shtatë vjet në sferën e kryerjes së sanksioneve penale.
Joveski në vitin 1979 bëhet praktikant në Sekretariatin republikan për gjyqësi në Republikën Socialiste të Maqedonisë. Nga viti 1987 ka qenë gjykatës në Gjykatën komunale Shkupi 2, në vitin 2003 është zgjedhur për zëvendësprokuror publik, ndërsa nga viti 2015 është anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë të RM-së.
Për emërimin e prokurorit publik, Kuvendi i RM-së vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votave. Prokurori publik ka mandat prej gjashtë viteve me të drejtë të emërimit të sërishëm.
Deri më tani këtë funksion e ka kryer Liljana Spasevska, pasi Marko Zvërlevski u shkarkua më 17 gusht të këtij viti.
Në rend dite të seancës së sotme janë ndryshimet e Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve, që i ka kërkuar Prokuroria Speciale Publike, me të cilat kësaj prokurorie duhet t’i mundësohet të vendos se kush do të jetë dëshmitar në procedurën që janë nën kompetencën e tyre.
Në seancë do të debatohet edhe për ndryshimet e Ligjit për Këshillin gjyqësor, për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për Këshillin për konfirmimin e fakteve dhe iniciim të procedurës për konfirmimin e përgjegjësisë së gjykatësit, për ndryshimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, për sigurim shëndetësor, për Ligjin për kontribute nga sigurimi i obligueshëm social dhe për ndryshimet e Ligjit për akcizat, të gjitha me procedurë të shkurtuar.

