Në deklaratën përfundimtare të forumit të zhvilluar në Haxhibektash të Nevşehirit, u theksua se besimi dhe trashëgimia kulturore bektashiane janë me qendër në Anadoll, ndërsa Teqja e Haxhi Bektash Veliut është qendra shpirtërore e bektashizmit.
U publikua deklarata përfundimtare e forumit me temë „Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan, nga historia deri në ditët e sotme“, i mbajtur në Haxhibektash të qytetit Nevşehir.
Aktiviteti u zhvillua në Qendrën Kulturore Haxhi Bektash Veli, nën kujdesin e Kryesisë për Kulturën Aleviane-Bektashiane dhe Xhem-Evive pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Kryesinë e Komunikimit.
Në program morën pjesë prijës të besimit alevi-bektashi dhe studiues të fushës. Forumi përfundoi pas sesioneve me temat „Rrënjët historike dhe sufiste: nga Anadolli në Ballkan – përhapja e bektashizmit në Shqipëri dhe Ballkan“, „Hapësira, kultura dhe vullneti: ndikimet kulturore të teqeve bektashiane në Ballkan“ dhe „Kujtesa e përbashkët dhe vizioni për të ardhmen: roli i bektashizmit në zhvillimin e marrëdhënieve me Ballkanin“.
Në deklaratën përfundimtare u theksua se forumi përbën një platformë të rëndësishme për alevizmin dhe bektashizmin.
Bektashizmi u përshkrua si një „çinar“ me rrënjë dhe qendër në Anadoll, ndërsa degët e tij historikisht shtrihen deri në Ballkan dhe në brendësi të Evropës. Në deklaratë thuhet gjithashtu se Haxhibektashi është qendra e bektashizmit.
U theksua se bektashizmi, përveç dimensionit të tij fetar, përbën një trashëgimi të përbashkët historike, kulturore dhe gjeografike të një hapësire të gjerë, që shtrihet nga Horasani deri në Danub, duke përfshirë edhe Turqinë.
Në deklaratë nënvizohet se mësimet e Haxhi Bektash Veliut – të cilat e vendosin njeriun në qendër, theksojnë mirësinë, i japin përparësi arsyes dhe ushqejnë dashurinë – përbëjnë një udhërrëfyes të jashtëzakonshëm përballë krizave që po shfaqen në botë.
„Aktivitetet tona si Kryesi për Kulturën Alevi-Bektashiane dhe Xhem-Evët do të vazhdojnë“
Në deklaratë u theksua nevoja për t’iu qasur me distancë zhvillimeve që mund të bien ndesh me filozofinë e unitetit dhe paqes, e cila qëndron në thelb të bektashizmit.
„Përpjekjet tona për ta bërë mbizotëruese gjuhën universale të dashurisë dhe tolerancës së bektashizmit duhet të vazhdojnë gjithmonë.
Kryesia jonë për Kulturën Alevi-Bektashiane dhe Xhem-Evët është e hapur ndaj çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi në lidhje me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e alevizmit dhe bektashizmit.
Organizimi i programeve shkencore dhe kulturore, realizimi i projekteve dhe krijimi i bashkëpunimeve, si në Turqi, ashtu edhe në vendet e tjera ku jetojnë komunitete alevi-bektashiane, me qëllim kuptimin dhe shpjegimin e alevizmit dhe bektashizmit, janë ndër aktivitetet tona prioritare.
Me synimin që Forumi „Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan, nga historia deri në ditët e sotme“ të shndërrohet në një platformë të përhershme dhe të marrë karakterin e një tradite shkencore e kulturore në Turqi dhe jashtë saj, aktivitetet tona si Kryesi për Kulturën Alevi-Bektashiane dhe Xhem-Evët do të vazhdojnë.
Që bektashizmi, kjo çinar i lashtë me rrënjë në Anadoll dhe me degë që janë shtrirë në shumë vende të botës, veçanërisht në Ballkan, të mbetet i përjetshëm dhe që, ashtu si brezat para nesh, edhe shumë breza pas nesh të gjejnë paqe nën hijen e këtij çinari, është qëllimi ynë themelor.“
„Rruga e besimit dhe urtësisë e trashëguar nga Haxhi Bektash Veliu“
Ndërkohë, gjatë forumit u lexua edhe një deklaratë për opinionin publik në emër të Hademul-Fukara Ali Haydar Ercan Dedebaba, Liderit Botëror të Bektashinjve, Postnişinit të Teqes së Haxhi Bektash Veliut dhe Halifebaballarëve.
Në këtë deklaratë u theksua se bektashizmi nuk është një projekt shtetëror, por një rrugë besimi dhe urtësie e trashëguar nga Haxhi Bektash Veliu.
Në deklaratë thuhet se së fundmi janë ndjekur me vëmendje raportimet e mediave ndërkombëtare për mundësinë e krijimit në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, të një „Shteti Bektashi“ ose një „Vatikan Bektashi“, në një territor prej rreth 11 hektarësh.
Duke iu referuar pretendimeve se kjo strukturë politike do të kishte kufij, pasaportë, monedhë dhe përfaqësi diplomatike, në deklaratë thuhet se është krijuar nevoja që, në përputhje me përgjegjësinë e institucionit të Dedebaballëkut, i cili konsiderohet udhëheqja e vetme shpirtërore e bektashinjve në botë, të informohet opinioni publik.
„Shpallja e vetes nga Baba Mondi si lider global është e pavlefshme“
Në deklaratë rikujtohet se, sipas traditave historike dhe së drejtës së besimit bektashian, gjuha e përbashkët e adhurimit të bektashinjve është turqishtja, ndërsa udhëheqësi që merr postin e Dedebabasë duhet patjetër të jetë shtetas i Republikës së Turqisë dhe të banojë brenda kufijve të saj.
Në deklaratë thuhet:
„Bektashizmi nuk është shtet, lëvizje politike apo projekt kombëtar-politik. Bektashizmi është një rrugë urtësie, e cila e pranon Kuranin e Shenjtë si libër të shenjtë, Hazreti Muhamedin si prijës shpirtëror dhe Hazreti Aliun si udhërrëfyes, ndërsa është brumosur me filozofinë e Haxhi Bektash Veliut dhe i ka rrënjët në sufizmin islam.
Autoriteti shpirtëror i një rruge besimi nuk mund të krijohet apo të ndryshohet përmes shpalljes së sovranitetit politik, ndarjes së territorit apo shtypjes së pasaportave.
Qendra historike dhe shpirtërore e rrugës bektashiane është ‘Shtëpia e Pir-it’ (Pir Evi), pra Teqja e Haxhi Bektash Veliut, e cila ndodhet në rrethin Haxhibektash të Nevşehirit, ku prehet Haxhi Bektash Veliu.
Kjo qendër dhe ky post nuk mund të zhvendosen në një tjetër hapësirë gjeografike përmes vendimeve politike tokësore.
Formacionet në Shqipëri apo në çdo vend tjetër të botës që e shpërfillin këtë rregull janë plotësisht të pavlefshme sipas së drejtës bektashiane.
Në këto rrethana, shpallja e Edmond Brahimajt, i njohur në Shqipëri si ‘Baba Mondi’, si lider global, është në kundërshtim me strukturën hierarkike të besimit tonë, pasi atij nuk i është dhënë as autorizimi për postin e Halifebabait, dhe sipas rregullave tona kjo shpallje është e pavlefshme.
Për këtë arsye, ne e refuzojmë kategorikisht pretendimin se kjo strukturë politike përfaqëson tërësinë e bektashizmit.“
Në përfundim të deklaratës, bektashinjtë në mbarë botën, veçanërisht ata në Shqipëri, u ftuan të qëndrojnë për unitetin dhe jo për ndarjen, si dhe t’i përmbahen urtësisë së lashtë të Haxhi Bektash Veliut dhe jo llogarive imperialiste.
The post Në forumin e Haxhibektashit u theksua se qendra e bektashizmit është „Shtëpia e Pir-it“ appeared first on TV-SHENJA.


