Sot bëhen tetë vite nga ndarja nga jeta e Hoxhës Sead ef. Ajruli, një figurë e respektuar për kontributin e tij në fushën e edukimit, humanizmit dhe shërbimit ndaj komunitetit.
Me rastin e përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta, O.K.H. “Merhamet” e ka përkujtuar me respekt dhe mirënjohje, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në veprimtarinë humanitare dhe edukative të organizatës.
Nga “Merhameti” theksojnë se Sead ef. Ajruli ishte një prej atyre njerëzve që shërbimin ndaj shoqërisë e shihnin si amanet. Përkushtimi, sinqeriteti dhe gatishmëria e tij për t’u gjendur pranë njerëzve, sipas tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Sead ef. Ajruli ishte një bashkëpunëtor dhe aktivist i çmuar, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm në veprimtarinë tonë humanitare dhe edukative”, thuhet në mesazhin përkujtimor të O.K.H. “Merhamet”.
Tetë vite pas ndarjes nga jeta, kujtimi për të vazhdon të mbetet i gjallë, ndërsa veprat dhe angazhimi i tij vazhdojnë të kujtohen nga familjarët, bashkëpunëtorët dhe njerëzit që e njohën.
Në përfundim të mesazhit, O.K.H. “Merhamet” ka përcjellë lutje që Allahu i Madhërishëm ta mëshirojë Hoxhën Sead ef. Ajruli, t’ia falë gabimet, t’ia ndriçojë dhe zgjerojë varrin dhe ta shpërblejë për çdo të mirë që ka bërë.
“Lusim Allahun të na bashkojë me të në Xhenetin Firdeus”, thuhet në mesazhin përkujtimor.



