Nga marsi i vitit të ardhshëm banorët e Shkupit do të mund të shfrytëzojnë vetura elektrike për nevojat e tyre të udhëtimit. Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ministrja e Energjetikës Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska sot nënshkruan letrën e qëllimit për mbështetjen e zbatimit të projektit “100% carsharing elektrik” në Shkup, projekt i kompanisë “AVANT CAR” nga Sllovenia dhe i cili do të sigurojë qindra vetura elektrike në shërbim të qytetarëve të RMV-së. Zv/kryeministri Izet Mexhiti tha se ky projekt fillimisht do të zbatohet në 3 komuna të qytetit të Shkupit, në komunën e Çairit, Gazibabës dhe Aerodromit. Ai theksoi se qytetarët do të kenë mundësi për transport më ekonomik pa e cënuar mjedisin.
IZET MEXHITI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Nënshkrimi i letrës së qëllimeve për të mbështetur sistemin elektrik Car sharing përfaqëson një aksion konkret dhe të dukshëm për të zgjidhur një nga sfidat më urgjente me të cilat përballemi, ajrin e ndotur. Kjo është një mundësi drejtë një Shkupi më të shëndetshëm dhe më ekologjik, që të mundësojmë Shkupi të jetë një qytet që kujdeset për qytetarët e vet. Qyteti ynë kohë të gjatë po përballet me pasojat e ndotjes urbane prandaj synimi është që në këtë mënyrë të ndikojmë drejtëpërdrejtë dhe të reduktojmë emetimet e Cо2 dhe ndotjen që është prioriteti ynë si ministri”.