Alsat 2019-05-13T14:26:32+02:00
Ministria e Arsimit ka miratuar programin e ri në lëndën e arsimit muzikor për shkollat fillore. Në këtë program deri tani është mësuar vetëm për kompozitorët dhe kulturën maqedonase, ndërsa tani janë shtuar kulturat e gjithë etniteteve të tjera që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, përfshi edhe këngë, kompozitorë shqiptarë.
Përmbajtjet e reja kontribuojnë për avancimin e multikurtularizmit, njohjen dhe respektimin e diversiteteve. Secili nxënës do të mësoj kulturën dhe traditën muzikore të komunitetit që i përket si dhe do të kenë mundësi që të mësojnë edhe për kulturën muzikore dhe traditën e bashkëqytetarëve të bashkësive të tjera etnike, edhe atë duke dëgjuar dhe përpunuar këngë dhe kompozime duke i njohur instrumentet si dhe karakteristikat tjera muzikore të instrumenteve – tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, si përpilues të programit të ri, thonë se tani nxënësit do ta kenë më të lehtë që të njihen me kulturat e etniteteve të tjera që jetojnë në Maqedoni.
Përmes dëgjimit dhe interpretimit të këngëve nga të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në shtetin tonë, përveç muzikës së huaj, do të ia dalim t’i afrojmë nxënësit që të njihen me vlerat dhe traditat dhe kulturat e ndryshme dhe ashtu të jetojnë dhe mësojnë së bashku – u shpreh Zekirja Asip, Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
Megjithatë, mbeten edhe shumë tekste të tjera shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm me gabime drejtshkrimore dhe përmbajtjesore. Ministri Ademi thotë se po punohet në përmirësimin e plotë të gabimeve të tilla.
Përmirësimi i teksteve shkollore do të vazhdojë edhe në periudhën që vjen. Ky proces i përmirësimit, edhe i teksteve shkollore edhe i programeve mësimore po vazhdon me një dinamikë të fuqishme nga ana e MASH, Byrosë për Zhvillim të Arsimit dhe institucioneve tjera kompetente – theksoi Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
22 tekste shkollore u korrigjuan në fillim të vitit akademik 2018-2019 , siç janë tekstet e shkencave ekzakte si Kimia, Fizika, Matematika, Shkencat Natyrore dhe Biologjia, por ende mbeten pa korrigjuar tekstet e Gjeografisë dhe Historisë të cilat janë me shumë gabime skandaloze dhe me përmbajtje fyese si dhe shtrembërime historike ndaj shqiptarëve.
Besian Leka



