Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e largimit nga posti i saj përpara përfundimit të mandatit, që skadon në tetor të vitit 2027.
Në një intervistë për gazetën franceze Les Echos, Lagarde u pyet nëse mund të japë dorëheqjen përpara kohe, në sfondin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Francë. Ajo u përgjigj se një skenar i tillë mbetet i mundur.
“Është e mundur. Mendoj se një zë evropian duhet të dëgjohet në debatin presidencial francez”, u shpreh ajo.
Deklarata e Lagarde ka nxitur spekulime për një angazhim të mundshëm të saj në debatin politik në Francë, megjithëse ajo nuk dha detaje të tjera mbi planet e saj.
Ndërkohë, të premten Lagarde pritet të marrë pjesë në “Takimet Ekonomike” në rajonin e Provansës, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.


